fbpx

A po kalon LDK-ja te Vjosa Osmani?

nga Revista Kosovarja

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me nënkryetarët Lutfi Hazirin e Gazmend Muhaxherin, po ëndërrojnë se kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, është ende në LDK, shkruan “Kosovarja”.

Ata ashiqare po shihen si krahu i zonjës Osmani dhe, si të tillë, më mirë është të thonë haptazi se po e shkelin përsëri LDK-në, për t’ia vënë drynin përfundimisht kësaj partie.

Madje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur të frytshëm takimin me ish-kolegen partiake, e cila ka kaluar në “Vetëvendosje”.

Me çka dhe për çka ka qenë i frytshëm takimi Osmani – Abdixhiku, mundet vetëm të imagjinohet…

Por, disa detaje, e që po fliten në qarqe okulare, qojnë kah ideja se Vjosa Osmani mundë t’i kthejë deputetët e fraksionit të vet në LDK, në këmbim të votimit për presidente.

Kjo është njëra nga temat e mundshme në takimin Osmani-Abdixhiku, pasi kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kërkon vota nga ish-partia e saj.

Paragjykimi tjetër, e që mund të ketë qenë temë diskutimi ndërmjet kreut të LDK-së dhe zonjës Osmani, është se ajo, pas pesë vjetësh të mandatit presidente, të rikthehet në LDK!

Andaj, cilado temë nga këto që i zumë në gojë të bëhet realitet, e vërteta është se Vjosa Osmani e ka braktisur LDK-në për interesa personale!

Nuk mund të quhet punë parimi kalimi te “Vetëvendosja”, përderisa LDK-ja i dha vizën Vjosa Osmanit për kryeministre në vitin 2019, e që nuk arriti të bëhej.

Shtrohet pyetja: Cila është LDK-ja sot nëse e voton presidenten dhe cila mund të jetë nesër nëse nuk e voton atë?

Sidoqoftë, që nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, LDK-ja më nuk është ajo që ka qenë para vdekjes së tij…

Sepse, që nga ajo kohë e deri më tash, LDK-ja është bërë herë-herë edhe satelit i PDK-së, duke marrë pushtet herë pas herë nga Hashim Thaçi.

Dhe, mu ky vrapim pas pushtetit, e solli LDK-në në krizë të thellë… Andaj, edhe kreu i ri i kësaj partie, siç po shihet, ka nisur rrugën e servilitetit. Pra, po vrapon pas Vjosa Osmanit, e cila edhe ia dha grushtin nokaut kësaj partie.

Pra, Lumir Abdixhiku, në vend se të merr hapa vendimtarë të këndelljes së partisë si opozitë dhe ta shfrytëzojë kohën e riorganizimit të kësaj partie, ai po e dërgon LDK-në në shërbim të dezertorëve partiakë, e që e shtrinë përtokë partinë e Rugovës.

Sidoqoftë, dy gjëra krejt të kundërta me veprimet e mëhershme po i bënë Vjosa Osmani:

E para, po kërkon “mirëkuptim” nga LDK-ja që të bëhet presidente, ndërkaq ka dezertuar nga LDK-ja!

E dyta, po e viziton varrin e presidentit Ibrahim Rugova, ndërkaq i dha grushtin më të fortë partisë së Rugovës!

Andaj, LDK-ja duhet ta ndërtojë identitetin e ri politik pa Vjosa Osmanin, si dhe të qëndrojë në opozitë, duke u përballuar me realitetin e ri që ka ndodhur në këtë parti.

Sepse, po qe se LDK-ja e voton Vjosa Osmanin presidente, anëtarësia e saj ose duan të pajtohen me sjelljen e ish-koleges që e ka braktisur LDK-në, ose duan kolektivisht të kalojnë në krahun e saj… Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]