fbpx

Adelina Paloja, sopranoja që e prezantoi Kosovën në “Pantheon” të Romës

nga Revista Kosovarja

Adelina Paloja ka rrëmbyer audiencën me zërin e mrekullueshëm që e karakterizon. Zëri i saj, e që ngjallë magji, është i ngjashëm me zërin e engjëjve dhe ka arritur të përcjellë emocionet më të thella nëpërmjet interpretimeve të saj të mrekullueshme.

Adelina Paloja rrugëtimin e saj e filloi qëkur ishte 6 vjeçe, duke u regjistruar në shkollë dhe kurse për muzikë dhe për këtë meritor kryesor ishte babai i saj.
“Gjithçka nisi qysh në moshë të hershme, duke u evidentuar talenti dhe muzikaliteti në familje nga babai im si një artdashës, por edhe muzikant autodidakt aso kohe.
Andaj, përveç muzikës tonë të përbashkët në ambientet e shtëpisë, ai mori mundin që të më udhëzoj në shkollim dhe edukim të mëtutjeshëm profesional në shkollë të muzikës qysh në moshën 6 vjeçe, kur konsiderohej akoma herët.
Por, rrugëtimi im i nisur në moshë të re ka lënë gjurmë dhe themel të fortë në ndërtimin e mëtejmë të identitetit tim artistik”, u shpreh Paloja.

 

E para në koncertet ndërkombëtare
Ani pse fillimet ishin të vështira, sopranoja e njohur ia doli me ndihmën e familjes dhe të shumë figurave të rëndësishme të muzikës klasike.
Paloja është artistja e parë shqiptare në histori që arriti të jetë interpretuese në koncertet më të mëdha ndërkombëtare.
“Kam qenë e lumtur të interpretoj në Milano dhe Lecco, në dy raste të rëndësishme që lidhen me figurën e ndritshme të popullit tonë, Shën Nënë Terezën…
Të pranishëm ishin kontributdhënës nga Konsullata e Kosovës, Komuniteti shqiptar atje, e që na bëjnë krenarë përherë me të arriturat e tyre…”, tha ajo.
Gjithashtu, ajo ka interpretuar edhe në shumë vende të tjera të botës, si në Austri, Gjermani, Francë, Bullgari, Angli dhe shumë të tjera, ku në të gjitha nga këto vende e ka ndjerë energjinë dhe dashurinë e publikut për të, që në fund është frymëzuar të vazhdojë më tutje.
Vlen të theksohet se sopranoja Adelina Paloja është artistja e parë shqiptare, e cila ka interpretuar në “Pantheon” të Romës.
“Është absolutisht një ëndërr që të jetësohet interpretimi në vendin më prestigjioz në Itali dhe botë, më saktë në Vatikan dhe në “Pantheon” të Romës, dy vendet me histori të jashtëzakonshme dhe të një rëndësie të veçantë për botën.
Mund të them se nuk kishte si të kurorëzohej më mirë kalendari artistik…”, theksoi Paloja.

E lidhur emocionalisht me Filarmoninë e Kosovës
Paloja eksperiencën e jashtëzakonshme ndër vite është duke e shprehur edhe si profesoreshë, por edhe si anëtare e Filarmonisë së Kosovës.
“Jam e lidhur emocionalisht me Filarmoninë e Kosovës, meqë angazhimi im në të është aktiv qëkur isha studente e vitit të dytë në Universitet…
Sidoqoftë, Filarmonia është e kompletuar me të gjitha kapacitetet profesionale që dikur ishin deficitare. Andaj, jam e lumtur me këtë fakt, si dhe me prezantimet dinjitoze që pashmangshëm janë kudo që është Filarmonia me Korin dhe Orkestrën Simfonike Profesionale të saj”, potencoi Paloja për revistën tonë, “Kosovarja”.

Xheneta Spahiu

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]