fbpx

Adi Krasta më detyroj të divorcohesha në oren 11:00 të natës

nga Revista Kosovarja

 Nga Nderim Neziri

Mezi jam zgjuar nga një gjumë i rëndë. Më hahej diçka e ëmbël, ndoshta për ta shqitur shijen e thartë që ma ka lënë “Festivali i Këngës” në “RTK”

E di, po mendoni se duhet arsyetuar, sepse është edicioni i parë, sepse mirë që më në fund po bëhet. Ama, në skenë ishte Adi Krasta që e ka për herë të njëmijtë, i cili e qeli siparin me një monolog banal ku fliste për kamiona të tërë mbeturinash që ishin hequr nga salla në Pallatin e Rinisë, për blozë, ujë me presion e detaje të tilla që askujt nuk i interesojnë. A nuk do të duhej të fliste për traditen e këngës në vend, për “Akordet” e dikurshme, ikonat, por edhe iden…? Festivali kishte si simbolikë një fytyrë anonime, misterioze, kinse artistike! Pse të mos ishte ajo fytyrë portreti i Nexhmije Pagarushes dhe ky festival i parë ta kishte muzë ikonën e pa perëndueshme të muzikës shqipe? Një fytyrë anonime?! Kush tha që muzika e “mirëfillte” sapo pjelli në Kosovë? Mua mu duk që ajo kishte një abort spontan (fatkeqësisht). Adi Krasta edhe një herë ka gjetur një strehë të ngrohtë e naive, aq sa për ti lejuar vetës që në skenën e festivalit t’ia bëjë dhjetë pyetje bashkëprezantuesit, Besim Dines. Një nga pyetjet: “Bes, a mendon që Ambasadori amerikan në Kosovë dëgjon tallava në veturën e tij?”. Çfarë paralelizmi, a? Demek, krejt çka ofron Kosova si “resurs artistik” qenka tallavaja. Zaten, Besimi ishte vetja, nuk u servilos e nuk u deh nga madhështia e Adit dhe rëndësia e eventit. Pra, e injoroj. Çka të them për Edona Kasapollin, e cila kishte aq shumë emocione sa i dukej sikur ishte ngjitur në tempullin e Asklepit, ku kishte përgjegjësinë të mjekonte e shëronte njerëz. Relaks vajzë e përkëdhelur.

Në rresht me me mua ishin dy adoloshte, të cilat më besoni i kishin komentet më pikante se këto që po i lexoni. Prisnin në skenë ndonjë yll konkurrent, e krejt çka ndeshën ishte një listë emrash të pa dëgjuar, që megjithatë kënduan.

E di, e di o të mëdhenjtë e televizionit që po mendoni se përzgjedhja ime për intervistë në tapetin e kuq paska qenë ide e keqe. Për besë, njejt do të kisha mendur për dikë që nuk ma bënë qejfin. Nejse…Dua ti përshëndes kolegët e radios dhe televizionit që u ngjitën në skenë me frikë, ankth dhe i harruan emrat e këngëtarëve, kompozitorëve, dirixhentëve…Uroj të mos ketë ndikuar bloza e mbetur në sallë. Shaka! Njeriu harron, do ti kisha harruar edhe unë nëse do të mendoja më shumë për vetën sesa për qëllimin e përgjithshëm. A ngjitet ore njeriu në skenën e festivalit për t’i bërë nderim punës së tij në televizion, radio, a…?!

Hera e parë! O, po, ama krejt herat e para mbahen në mend: Fjala e parë, dita e parë e shkollës, dashuria e puthja e parë, martesa e parë. Kur jemi tek martesa, unë u divorcova me festivalin në ora 23:00, sepse ai donte ta zgjasnim shumë marrdhënien dhe mua më flihej.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]