Qeveria Kurti nuk duhet ta shtyjë për dhjetë muaj afatin për targat e automjeteve, e as për një muaj madje, shkruan “Kosovarja”.
Disponimi i serbëve ishte për ta ndryshuar gjendjen, por 12 vetura që u regjistruan me targa me identitet të Republikës së Kosovës u dogjën nga strukturat e Vuçiçit në veri!
Andaj, ndërkombëtarët kanë propozuar afate të ndryshme kohore për shtyrjen e vendimit për zbatimin e targave në veri, por qeveria e Kosovës duhet filluar me aksionin për heqjen e targave të Serbisë nga veturat e serbëve të Kosovës pas datës 1 tetor.
Sepse, as dhjetë muaj e as një vit nuk do ta ndihmonin procesin e konvertimit të tabelave në veri.
Kjo është parë qe 23 vjet, sepse serbët e udhëhequr nga strukturat kriminale të Vuçiçit nuk do të lejojnë zbatimin e ndryshimit të targave me hatër.
Qeveria e Kosovës duhet të përgatit plan dhe strategji për këtë ndryshim dhe duhet të marrë vendim me KFOR-in për mosbllokimin e rrugëve që qojnë në pikat 1 dhe 31, e që kanë rëndësi jetike për të mos bllokuar pjesëtarët e policisë në mes bandave serbe, siç ndodhi herën e fundit.
E, ajo që është më e rëndësishmja në këtë proces është se afatet nuk duhet të shtyhen, sepse shtyrja kurajon Serbinë me shpresa për status quo dhe do të jetë një sukses i Serbisë në Kosovë.
Dhe, sa më shumë që po afron data 31 tetor, kur është afati i fundit për ndërrimin e targave të automjeteve me tabela RKS, BE-ja dhe SHBA-të janë të brengosura për mundësinë e një shpërthimi të dhunës në veri.
E, përshkallëzimi i gjendjes së sigurisë në veri cilësohet i rrezikshëm dhe mund të sjellë destabilizim të Ballkanit perëndimor. Safet Krivaça /Kosovarja/