Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj xhudistit Akil Gjakova nën dyshimin se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. Ai akuzohet për dhunë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij, Suela Gjakova. Aktakuza është ngritur më 19 dhjetor 2024.
Bazuar në aktakuzën që e ka siguruar Insajderi, thuhet se aktetet e dhunës përfshijnë kërcënime verbale, dhunë psikologjike dhe fizike.
Ngjarjet janë raportuar të kenë ndodhur brenda banesës së tyre në Pejë që nga viti 2023 deri në prill të 2024-ës.
I pandehuri ka ushtruar dhunë dhe ka bërë kërcënime të tilla si: “Kam me ta nxi jetën,” dhe “Kam me të mbytë.”
Viktima, bashkëshortja e xhudistit ishte ndier e kërcënuar dhe në rrezik për shkak të dhunës së përsëritur.
Në aktakuzë përmendet se si ai e kishte grushtuar bashkëshorten e tij.
“Më parë, në vazhdimësi, e gjerë më datë 13.04.202 rreth orës 14:05 në rrugën …. në K. Pejë, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, brenda marrëdhënies familjare, me qëllim të cenimit të dinjitetit, ushtron dhunë dhe keqtrajtim psikologjik, fizik dhe ekonomik ndaj të dëmtuarës Suela Gjakova të cilën e ka bashkëshorte, në atë mënyrë që, i pandehuri vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj të dëmtuarës duke e kërcënuar e ofenduar me fjalë të ndryshme si “kam me ta nxi jetën,… kam me t’ba me fol vet me veti…. ti je psikopat…. kam me të mbyt”, e shumë fjalë tjera…“
Në një rast, asaj bashkë me fëmijën e tyre i pandehuri ia kishte mbyllur duke mos e lënë të futej në shtëpinë e tyre, dhe në atë moment kishte vendosur të padisë bashkëshortin.
Pas raportimit të Insajderit, Gjakova ishte arrestuar në pikën kufitare në Morinë, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti.
Ndërkaq, më 19 shkurt është mbajtur seanca gjyqësore.
Pas seancës bashkëshortja e tij, gjyqtarit të lëndës në fjalë i ka dorëzuar një parashtresë. Në të, ajo ka kërkuar që të pandehurit, Akil Gjakova, t’i tërhiqet vërejtja që të mos i dërgojë mesazhe, përmbajtja e të cilave mund t’i shkaktojë dëmtime psikologjike asaj.
Sipas shkresës, ai më parë i ka dërguar mesazhe, duke i kërkuar që ta ndryshojë deklaratën e dhënë në institucionet përkatëse, ose në të kundërtën do ta paguajë alimentacionin.
Po ashtu, ajo ka dorëzuar edhe komunikimin me SMS, ku Gjakova, sipas saj, i ka kërkuar që ta ndryshojë deklaratën në favor të tij.
Në vijim mund të gjeni storien e realizuar nga gazetarja Dijellza Preniqi./Insajderi