Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Vesel Krasniqit dhe Endrit Shalës, dy ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Dy ish-ministrat, përfaqësues të Nismës Socialdemokrate, akuzohen për Keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtare, lidhur me një rast për licencat e naftës, ka thënë për Paparacin një burim i afërt me Prokurorinë.
Prokuroria, në një komunikatë për media të premten, tha se i ka propozuar Gjykatës që të dyshuarve t’iu shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike.
“Në mbështetje të nenit 62 të Kodit penal, PSRK ka propozuar që krahas dënimit kryesor, të pandehurve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues: Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi kishin shërbyer të dy si ministra të Tregtisë dhe Industrisë.
Shala e ka mbajtur këtë pozitë nga tetori i vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2019. Kryeministër i qeverisë në të cilën kishte shërbyer Shala, kishte qenë Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, Krasniqi ka shërbyer si ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Avdullah Hotit. Ai e ka mbajtur këtë pozitë për disa muaj, nga qershori deri në dhjetor të vitit 2020. /Paparaci.com