Belina Pupa ka reaguar lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të dhe Elvis Pupën për kultivim të bimëve narkotike dhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në një pronë tyren në Australi.
Në një deklaratë për Dritare Tv, Belina shprehu se ambienti në fjalë ku janë evidentuar shkeljet ligjore është një pronë në emrin e saj, por e dhënë me qira, duke sqaruar:
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë, por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund, në radhë të dytë”.
Për arratisjen e dyshuar dhe shpalljen në kërkim të bashkëshortit të saj, Elvis Pupa, Belina nuk ka dhënë ndonjë koment.
Belina Pupa aktualisht po përballet me akuzën e kultivimit të 43 bimëve kanabisi, shkelje që dyshohet se ka ndodhur në periudhën kohore 1 janar – 4 prill të këtij viti. Lajmi është hedhur pak ditë më parë nga media australiane “The Advertiser”, që shkruante:
“Një influencuese dhe terapiste nga Adelaide është akuzuar në lidhje me një perandori të madhe kanabisi – ndërkohë që gjykata shpreh se i dashuri i saj, i bashkëakuzuar, është larguar nga vendi”.