Moda nuk është diçka që ekziston vetëm në veshje. Moda është në qiell, në rrugë. Moda ka të bëjë me idetë, mënyrën se si jetojmë, çfarë po ndodh, ka thënë dizenjatorja ikonike Coco Chanel.
Moda është edhe dashuri, pasion, punë për dizenjatoren shqiptare Albertina Duhanaj, që jeton dhe vepron në Aragau të Zvicres prej 20 vitesh.
Albertina, që është kreative dhe punon me përkushtim të rrallë çdo kreacion, tregon se qysh si fëmijë ka ëndërruar të bëhet dizajnere e modës, ndërkohë që prirjen për rrobaqepësi e ka të trashëguar. Për ta perfeksionuar talentin, ajo ka ndjekur edhe një kurs për dizajn mode.
Është nga ato artiste që nuk është ndalur asnjëherë së luftuari për tiu afruar ëndrrës së saj, të cilen tashmë e ka jetësuar pasi po punon si dizajnere e modës, ku suksesi nuk po i mungon.
tdm_atelier është faqja e dizajneres Albertina Duhanaj-Markaj, ku ajo prezanton fustanet që punon për klientet e saj, fustane që kanë sharm e finesë. Ajo, shton se rrjetet sociale i kanë ndihmuar shumë në ide dhe koncepte, por edhe në afirmimin e punës, ndërkohë që në kokën e saj vlojnë ide kreative dhe që inspirimin kryesor e gjen tek vitet 50-60 dhe Haute Couture.
Dizajnerja e njohur thekson se i pëlqen fryma që përçon Christian Dior, ndërkaq mendon se dizajnerët shqiptar do të duhej të bashkëpunonin më shumë mes vete dhe ta mbështesnin njëri tjetrin, sidomos më të rinjët e kësaj fushe që ende janë në fillim të karrieres.
Albertina Duhanaj-Markaj për revisten “Kosovarja” cek se në planet e saj të vitit 2022 është edhe prezantimi i koleksionit të parë dhe gjithashtu shumë bashkëpunime e surpriza të bukura.
Pra, tashmë shqiptaret në Zvicër kanë një adresë ku mund të porosisin fustanet elegant e glamuroz dhe kjo është atelieja e kreatores
Albertina Duhanaj Markaj, e lindur në komunën e Klinës, e martuar në Gjakovë, bashkëshorte dhe nënë e lumtur e një djali.