Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, ka mbajtur një fjalim tejet emocional në Asamblenë e Përgjithshme, ku shpërtheu në lot teksa përmendi vuajtjet e fëmijëve në Rripin e Gazës dhe dhimbjen e familjeve palestineze që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Unë kam dhe vetë nipër e mbesa, e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo për familjet e tyre. Si mund të qëndrojmë indiferentë?”, tha Mansour me zërin që i dridhej. Në një moment, ai ndaloi së foluri dhe përplasi grushtin në tavolinë, i tronditur nga numri i madh i fëmijëve të vrarë që nga përfundimi i armëpushimit më 18 mars – mbi 1.300 sipas tij.
Ambasadori kujtoi skenat rrëqethëse të nënave që përqafojnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre, duke i quajtur “të padurueshme për çdo njeri me ndërgjegje”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që drejtohet nga Hamasi, mbi 3.800 persona janë vrarë që nga shembja e armëpushimit, duke e çuar numrin total të viktimave të luftës në rreth 54 mijë, shumica civilë.
Lufta e përgjakshme shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, që shkaktoi vdekjen e 1.218 personave dhe rrëmbimin e 251 të tjerëve, nga të cilët 57 mbeten ende peng në Gaza, përfshirë 34 që sipas ushtrisë izraelite janë të vdekur.