Analisti Bleron Baraliu, i cili njihet për qëndrimet e tij pro Lëvizjes Vetëvendosje, e ka fajësuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për nxitje të dhunës në seancën e sotme të Kuvendit, ku pati përplasje fizike mes deputetëve të PDK’së dhe Kabinetit qeveritar.
Baraliu e ka quajtur Bislimin edhe të “pafytyrë”.
“He Besnik Bislimi he lua — përveç që e nxiti pa skrupull incidentin ma të shëmtuar në histori të Kuvendit, kërcen me ftohtësi e gjuan grushta nga periferia si një imbecil i vërtetë . Ani thënka ‘kam IQ të naltë’ – kush t’ka rrejtë o dajë! Çu bre baj prapanicën shko ruj do lopë qaty se fort i paftyrë paske qenë! ka shkruar Baraliu.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë eskaluar në dhunë gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës. Gjithçka ka filluar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi foton e Kurtit që ishte vendosur nga opozita te pankarta “Zdravo”.
Deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku e gjuajti pastaj me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ai po mbante fjalim në foltore. Pas kësaj zëvendëskryeministri Bislimi shihet duke e gjuajtur me shishe Lushtakun, ku pastaj afrohen Ministri Hekuran Murati dhe Ministrja Albulena Haxhiu.
Lushtaku shihet duke i shtyrë të dy dhe pastaj afrohet edhe deputeti tjetër i PDK’së, Hajdar Beqa dhe deputeti i VV’së, Armend Muja, ku eskalon situata.
Aty ndërhyjnë edhe sigurimi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca më pas e thirri Policinë e Kosovës.