fbpx

Ardiana Dili, ylli i muzikës që këndon me zemër

nga Revista Kosovarja

Ardiana Dili është zë i dashur, artiste e mirënjohur dhe e kërkuar brenda e jashtë vendit. Këndon me zemër e shpirt dhe kjo e bënë të veçantë. Zëri i bukur i estradës ka një mori këngësh e bashkëpunimesh, e shumë të tjera janë duke ardhur.

E dëgjoni, por a e njihni mirë atë dhe jetën e saj? Ardiana Dili flet në “Kosovare” për veten, jetën, muzikën.

Ardianë, tashmë jeni emër i njohur në skenën muzikore. Por, si nisi rruga jote në botën e muzikës?
– Muzikën e kam dashur gjithmonë, që në fëmijëri. Mirëpo, vetëm viteve të fundit më është kthyer nga pasioni në profesion. Tani kjo është fusha ime e jetës dhe merrem vetëm me muzikë, për çka edhe jam mjaft e kënaqur.

Me çfarë emocionesh e kujton daljen e parë në skenë?
– Me shumë emocione e kujtoj ditën e parë kur kam dalë në skenë. Kam qenë 15 vjeçe kur jam ngjitur për herë të parë në skenën e një festivali folklorik.
Edhe sot e kujtoj me shumë kënaqësi dhe do të doja që t’më përsëritej prapë ai emocion e ata lot gëzimi.
Më kthyet në kohë, në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të jetës sime…

Pas kaq vitesh në muzikë, a ke ende emocione kur je para publikut?
– Ky profesion ngërthen në vete shumë emocion, meqë emocionohesh kur del në skenë, kur interpreton. Sepse, nëse këndon me zemër, me shpirt, me ndjenja, nuk mund të mos kesh emocione.

Keni kryer shkollën e muzikës, por keni studiuar gazetarinë. Pse kjo zgjedhje?
– E vërtetë është se kam studiuar për Komunikim Masiv, dega e Gazetarisë, për faktin se më pëlqen ky profesion, të cilin do kisha dashur që në të ardhmen ta ushtroj.
Gazetaria dhe moderimi më flenë në shpirt.

“Zemër gur” është një nga këngët tua më të njohura. Si lindi kjo këngë?
– Baladat më pëlqejnë, i këndoj me kënaqësi dhe i përshtaten shumë vokalit tim. Kënga me titull “Zemër gur” është pëlqyer jashtë mase dhe jam e lumtur për këtë gjë. Nuk ka ndonjë dedikim të veçantë ose ndonjë arsye për këtë titull. Ideja ka qenë vetëm ta bëjmë një baladë të bukur dhe që do prekë zemrat e publikut.

Çka mendon për ata njerëz që e kanë zemrën gur?
– Njerëzit që e kanë zemrën gur, për mua nuk janë njerëz. Njeriu duhet të ketë zemër të mirë e të madhe.

Të kemi parë e dëgjuar edhe në duete. Ç’thua për këtë?
– Ndër vite kam punuar shumë projekte, e për festat e fundvitit kam pasur edhe bashkëpunime me kolegë të ndryshëm.
Nuk do ta kisha cek ndonjërin specifikisht, pasi secili bashkëpunim e ka pasur ëmbëlsinë dhe rëndësinë e vet. Jam falënderuese ndaj bashkëpunëtorëve dhe tekst-shkruesve për të gjitha projektet.

E, me kë e ke peng një duet?
– Do të doja ta kem një bashkëpunim me këngëtarin e mrekullueshëm të skenës sonë muzikore, Sinan Vllasaliun.

E angazhuar gjithandej në dasma e ahengje, apo jo?
– Jam e angazhuar në shumë dasma, sidomos në sezonin e verës. Gjithashtu, kam mjaft mbrëmje muzikore në vende të ndryshme. Dhe, i gjithë ky angazhim sjell lodhje, por edhe shumë kënaqësi.

Cilën këngë ta kërkojnë më shumë në dasma ose cila e ndezë atmosferën më tepër?
– Disa këngë e ndezin atmosferën, e qojnë në një nivel tjetër. E bëj më të mirën time në çdo dasmë, andaj edhe atmosfera përherë është në kulmin e saj.

A të lodhë ndonjëherë gjithë ky aktivitet në botën e muzikës?
– Kur ka dëshirë e vullnet, nuk ka mund e lodhje. Unë këndoj me zemër.

Ndonjë projekt i ri
– Së shpejti do i realizoj disa projekte, të tjerat do të vijnë në të ardhmen e afërt. Pra, kam mjaft risi.

Jeta jote jashtë muzikës?
– Shumë e mirë… (qesh).

Një dëshirë e parealizuar?
– Kam dëshira të parealizuara, por të cilat do të realizohen në të ardhmen, pasi punoj shumë në këtë drejtim. Gjithsesi, shëndeti në rend të parë…

Pasioni i fshehtë?
– Vallëzimi dhe gatimi. Nuk e dinë shumë njerëz, por janë pasionet e mija të mëdha.

Për fund?
– Faleminderit Revistës suaj, “Kosovarja”, për mbështetjen e vazhdueshme. Ishte kënaqësi të realizonim këtë intervistë…

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]