fbpx

Ari Alia zëri briliant nga Shkodra që gjithë vitin e ka “sezonë muzikore”

nga Revista Kosovarja

Ari Alia është këngëtar me zë briliant, që jehon nga Shkodra e traditës, vlerave të pa krahasueshme kulturore e artistike, në çdo vend ku ka shqiptarë. Karriera e tij muzikore ka njohur ngritje vit pas viti, kjo falë punës së pa ndashme, interpretimit “live”, këngëve të bukura nga albumi muzikor “Syri i bukur”, etj.

Ari, është prej një jetë në skenë, gjithë vitin e ka me angazhime artistike dhe së shpejti vjen me tetë hite.

-Ari, mund të na flisni pak për vetën?
Jam Ari, jam 33 vjeç dhe vij nga qyteti i Shkodres, por prej disa vitesh jetoj në Itali. Muzika është pasioni im i madh, këndoj me shumë dëshirë dhe fatmirësisht jam mirëpritur nga publiku.

-Kur nise të merresh me muzikë?
Kam nisur të këndoj që në moshë të vogël, kur isha në shkollë fillore. Unë kam studiuar për fizarmonikë dhe kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme që organizonin shkollat, Shtëpia e Pionerit, etj.

-Kush ishin personat e parë që e zbuluan talentin tënd?
Talentin tim për muzikë e ka zbuluar profesori im që më jepte mësime për fizarmonikë, Nuti Tahiri, të cilin e falënderoj shumë. Ai e kuptoj se kisha vesh muzike dhe zë për të kënduar. Nuk mund të lë pa falënderuar edhe familjen time për mbështetjen e pa kursyer.

-A të kujtohet kënga e parë që e ke kënduar?
Isha vetëm nëntë vjeç dhe kishim një aktivitet në shkollë. Profesori më caktoj të këndoja një këngë shumë të bukur shkodrane, këngën me titull “Lule Bore”, kënduar më parë nga i madhi Bik Ndoja. Mbaj mend se ndonëse isha ende fëmijë, kisha shumë përgjegjësi ta këndoja këngën sa më mirë, më saktë dhe më bukur.

-Po projekti yt i parë muzikor cili ishte?
Si shkodran, doja të këndoja një këngë që ka lidhje me Shkodren, e ku kishte më bukur sesa tu këndoja dasmave shkodrane, prandaj realizova këngën me titull “Dasma shkodrane”, e punuar me mjeshtëri, me tekst nga zotëri Ramazan Ceka, muzika nga Fatmir Lela, ndërkaq orkestrimi nga Roland Cukaj.

-Kënga që të ka bërë të njohur për publikun?
Për publikun e gjerë këndoj çdo ditë këngë të bukura. Besoj se të gjitha që i kam punuar deri më tani kanë kontribuar që të më bëjnë të njohur e të dashur. Por, si person mjaftë kërkues ndaj vetës do të vazhdoj ta bëjë më të mirën gjithmonë. Sa i përket hitit, them se ka qenë kënga me titull “Syri i bukur” nga albumi im i parë.

-Ju këndoni edhe në dasma e ahengje, a do të thotë kjo se muzika live është specialiteti juaj?
Për mua gjithë viti është sezon, sepse jam tepër aktiv nëpër mbrëmje të ndryshme në Evropë, e kjo sigurisht pasi këndoj vetëm live. E falënderoj Zotin që arrij tia dalë me sukses.

-A keni treg muzikor në Kosovë?
Jam tepër i respektuar dhe i nderuar në Kosovë, në Preshevë, edhe ne Maqedoni, pasi prej 10 vitesh më së shumti kam qenë pjesë e dasmave qpo mbrëmjeve familjare aty. Në këto vende ndihem si ne Shkodër.

-Keni edhe albume?
Po, e kam albumin e parë të titulluar
“Syri i Bukur”. Nga ky album jam shumë i kënaqur. Këngët kanë arritur të marrin mjaftë klikime në Youtube brenda një kohe të shkurtë. Tani jam duke punuar për të sjellë edhe një tjetër album i cili do të dal ne treg besoj shumë shpejtë.

-Projektet e ardhshme janë…?
Do të jenë tetë këngë të reja, dy prej të cilave sapo i kemi mbaruar. Njëra del tani së shpejti dhe është një baladë e punuar nga Egzon Bajraliu, me tekst të Kreshnik Avdiut, e dyta është një këngë ritmike e punuar nga Nertil Morina (Nurtel). Këngët e tjera nuk po i zbuloj tash (qesh).

Nderim Neziri

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]