Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje militantëve të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – që të bien dakord me atë që e cilësoi si “propozim përfundimtar” për armëpushim 60-ditor me Izraelin në Gazë.
“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë – vetëm do të përkeqësohet”, shkroi Trump në platformën sociale Truth Social.
Ai shtoi se Izraeli është pajtuar me kushtet për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë të cilit, siç tha, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”.
Trump tha se propozimi do t’i dorëzohet Hamasit nga përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit.
Sipas tij, propozimi doli pas një takimi “të gjatë dhe produktiv” në lidhje me Gazën, midis përfaqësuesve të tij dhe zyrtarëve izraelitë.
Ai nuk i identifikoi përfaqësuesit e tij, por i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidenti JD Vance duhej të takoheshin më 1 korrik me Ron Dermerin, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington.