Dhuna në familje vazhdon të marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, ku gjithnjë e më shpesh viktima po bëhen edhe fëmijët. Një rast i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Fushë Kosovë, ku një nënë dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e saj të mitur, duke e goditur me mjet të fortë në kokë.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur më 31 maj 2025, rreth orës 01:30, në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë, ku pas njoftimit nga QKMF-Bresjes, është raportuar se një vajzë e re kishte kërkuar ndihmë mjekësore pas një sulmi nga nëna e saj.
Viktima, O.E., rreth 19-vjeçare është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare ku ka marrë trajtim për lëndime të lehta trupore, pasi sipas raportit mjekësor, është goditur në kokë me bishtin e xhokerrit nga nëna e saj, Liridona Ejupi, rreth 40-vjeçare.
Pas marrjes së informatave dhe verifikimit të fakteve, Policia ka ndërhyrë dhe ka ndaluar të dyshuarën.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga organet kompetente.
Gazeta Sinjali do të përcjellë detajet në vijim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.