fbpx

Arsyet e pranuara për mosagjërim dhe zëvendësimi i tjetrit në agjërim

nga Revista Kosovarja

Arsyet e pranuara për mosagjërim janë 2 llojesh:
– Arsyet e obliguara për mosagjërim;
– Arsyet e lejuara për mosagjërim.

1.Arsyet e obliguara për mosagjërim janë:

a) Menstruacionet dhe papastërtia e lehonisë. Është e njohur për të gjithë njerëzit, dhe sidomos për gratë/femrat, se gjendja gjatë të përmuajshmeve (menstruacioni) është gjendje sëmundjeje në trupin, mendjen, humbjen e fuqisë, por edhe në gëzimin apo hidhërimin e saj. E Allahu xh.sh. ka vendosur, me Urtësinë e Tij, për t’i ndaluar gruas agjërimin gjatë menstruacioneve dhe lehonisë, nga mëshira ndaj saj.

E kemi theksuar se prej kushteve të agjërimit të vlefshëm, është pastërtia prej gjakut të menstruacionit dhe të lehonisë. Muadhja r.a. ka thënë: ”E pyeta Aishen r.a. dhe i thashë: “Ç`është puna e femrës me menstruacion, bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin”? Aishja r.a. tha: “A harurije je ti”? – duke e konsideruar për banore të Harurasë (një vend afër Kufes, ku u tubuan havarixhët). I thashë: “Nuk jam harurije, por po pyes”. Aishja tha: ”Na ka ndodhur një gjë e tillë dhe jemi urdhëruar me kaza të agjërimit, e nuk jemi urdhëruar me kaza të namazit” .

Ndërsa lehonia është e njëjtë me menstruacionin, me ixhmaë.
Aishja e quajti pyetësen Muadhe të havarixhëve, se ata thoshin: “Në raste menstruacioni duhet të bëhen kaza agjërimi dhe namazi. Aishja ka thënë: “Kur ne gratë e familjes së Pejgamberit a.s. ishim me menstruacion dhe në lehoni, Pejgamberi a.s. na urdhëronte të mos agjëronim dhe të mos falnim namaz, e pas pastrimit prej tyre, na urdhëronte të bënim kaza agjërimin e jo namazin, për shkak të numrit të madh të namazeve të mbetura, sa kohë që gruaja është e angazhuar me fëmijët, burrin dhe shtëpinë e saj, dhe, po që se ajo obligohet me kazanë e namazit, ky do të jetë një rëndim i madh për të. Ndryshe nga agjërimi, sepse agjërimi është një herë në vit, prandaj kazaja nuk është e vështirë”.

b) Imponimi i mysafirit (udhëtarit) dhe të sëmurit për të ngrënë në Ramazan, sepse mosagjërimi është vaxhib (obligim), ngase është i ligjshëm në të drejtën e mysafirit dhe të sëmurit. Allahu xh.sh. thotë: ”E kush është i sëmurë ose në udhëtim (le të agjërojë) aq (ditë) nga ditët e tjera”.
Sikurse kur detyrohet myslimani për diçka që nuk mund ta përballojë (si mbytja ose thyerja e ndonjë gjymtyre), për të ngrënë ngordhësirë, mishin e derrit apo për të pirë alkool, kur nuk lejohet durimi i keqtrajtimit ose mbytjes, dhe bën mëkat nëse heq dorë nga ngrënia e pirja për arsye se përdorimi i këtyre është i ligjshëm në raste të jashtëzakonshme.

2. Arsyet për lejimin e mosagjërimit

1. Sëmundja, nëse e dëmton agjëruesin e sëmurë, me këshillimin e mjekut mysliman specialist i përkushtuar në fe, apo nga përvoja e vetë të sëmurit (për dëmin që sjell agjërimi), ose nëse agjërimi i zgjat kohën e vuajtjes së sëmundjes sipas mendimit të mjekut apo personit të sëmurë.
Allahu xh.sh. ka thënë:
“Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim (le të agjërojë) aq ditë nga ditët e tjera. Allahu juve ju dëshiron lehtësim e nuk ju dëshiron vështirësi”. (El-Bekare, 185).
Pastaj ato ditë i bën kaza, më vonë.

2. Udhëtimi i ligjshëm me të cilin ndërlidhen rregullat. Ky është udhëtimi që përfshin nijetin (vendosjen) dhe synimin e një vendi që ndodhet në largësi 81 kilometra e më shumë, dhe arsyetimi vlen derisa të kthehet në vendin e vet, me kusht që në vendin e caktuar të qëndrojë më pak se 15 ditë, atij i lejohet të hajë në Ramazan. Nëse gjatë udhëtimit agjërimi e dëmton shumë agjëruesin, agjërimi urrehet, po në rast se nuk e dëmton fare, atëherë është më mirë të agjërohet gjatë udhëtimit.
Allahu xh.sh. ka thënë:
“E ata që i rëndon ai (që nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (njëditor) i një të varfri, e ai që, nga vullneti, jep më tepër, kjo është edhe më mirë për të. Mirëpo të agjëroni është më mirë për ju, nëse e dini”. (El- Bekare, 184).
Xhabiri r.a. ka thënë: “Pejgamberi a.s. ishte në një udhëtim dhe ndërkohë vërejti një grumbull (njerëzish) dhe një njeri të cilit i bënin hije. Pejgamberi a.s. pyeti se ç`bëhej. Ata i thanë: “Njeri agjërueshëm”, e Pejgamberi a.s. tha: ”Nuk është nga punët e mira agjërimi në udhëtim“ . Pastaj i bën kaza në ditë të tjera.

3. Shtatzënia dhe gjidhënia.

Gratë shtatzëna ose gjidhënëse, edhe nëse janë me pagesë (`mëndeshë`, që nuk është nënë e fëmijës), nëse frikësohen për veten ose për fëmijët e tyre, lejohen të mos agjërojnë. Ky mosagjërim për gruan në këtë gjendje, është me arsye, për shkak të kujdesit ndaj fëmijës, ndaj shëndetit dhe ushqimit të tij. Më vonë do t’i bëjë kaza ato ditë të mbetura, në ditë të tjera…

4. Pleqëria dhe sëmundja e vazhdueshme.

Nëse njeriu është i moshuar dhe për të agjërimi është i rëndë, saqë nuk mund ta përballojë, i lejohet mosagjërimi. Nëse më vonë ka mundësi të agjërojë, e bën kaza Ramazanin, e nëse jo, atëherë obligohet me fidje – (ushqim njëditor), që i jepet një të varfri, për secilën ditë që nuk e ka agjëruar. Po nëse ai është i varfër, atëherë nuk ka kurrfarë obligimi, derisa të jetë i varfër. Allahu xh.sh. thotë:
“E ata që i rëndon ai (agjërimi), obligohen për kompensim, ushqim (njëditor) i një të varfri…”. (El-Bekare, 184)
Ibn Abasi për ajetin e sipërshënuar ka thënë: “Ky ajet nuk është i anuluar, por ka të bëjë me plakun dhe plaken që nuk kanë mundësi të agjërojnë, dhe ata për çdo ditë duhet të ushqejnë nga një të varfër, Njëherësh ky ajet ka të bëjë edhe me të sëmurin nga një sëmundje (e pashërueshme) për shërimin e së cilës nuk ka shpresë.
Ibn Abasi r.a., në lidhje me ajetin e lartpërmendur, gjithashtu ka thënë: ”Nuk i lejohet në këtë rast – mosagjërimi dhe fidja, përveçse atij që nuk mund ta përballojë agjërimin ose të sëmurit që nuk ka shërim”.
Thabit el-Benanij ka thënë: “Enes bin Maliku r.a. u plak pa pasur mundësi që të agjëronte, prandaj nuk agjëronte dhe e jepte fidjen”.
Seid bin Xhubejr lexonte ajetin e lartpërmendur kuranor dhe thoshte: “Këtu është fjala për plakun dhe plaken e mbetur, të cilët nuk kanë mundësi agjërimi, po detyrohen të ushqejnë nga një të varfër për çdo ditë. E nëse nuk kanë mundësi, atëherë nuk ka asnjë obligim për ta”.
Ikrimeh bin Amar ka thënë: “E pyeta Tavusin për nënën time, e cila ishte me diabet-sëmundje nga e cila njeriu pi ujë shumë e nuk mund të shuajë etjen, dhe nuk kishte mundësi të agjëronte Ramazanin. Ai tha: Le të ushqejë për çdo ditë nga një të varfër me nga dy mudde (njësi matjeje). I thashë: Me çfarë mudde? Ai tha – me atë të vendit tënd”. (Autori Abdurrrezaku).
Fidja është të ushqyerit e një të varfri me ushqim të lejuar, dy shujta (vakte) ditore, që i mjaftojnë të varfrit për t’u ngopur, ose gjysmë sa`a (njësi – enë për matje: 1.665 gr.) grurë apo miell, ose një sa`a hurma, elb, ose sa vlera e tyre.
E nëse shërohet i sëmuri, i cili, për shkak se kishte menduar se sëmundja e tij ishte e pashërueshme, kishte paguar fidjen për secilën ditë të paagjëruar, ai obligohet të bëjë kaza ato ditë që nuk ka agjëruar, për shkak se është krijuar mundësia për agjërim. Allahu xh.sh. ka thënë: “Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim (le të agjërojë) aq ditë nga ditët e tjera” (I sëmuri pas shërimit, e udhëtari pas kthimit në shtëpi). Zoti e di më së miri.

5. Uria dhe etja e tepërt.

Nëse agjëruesi frikësohet prej shkatërrimit ose humbjes së mendjes nga uria dhe etja e madhe, për shkak se agjëron pa ngrënë syfyr, ose punon ndonjë punë të vështirë e të rëndë, – këtij agjëruesi i lejohet ngrëna (mosagjërimi) për shkak të detyrimit, që është frika nga shkatërrimi i vetvetes.
Allahu xh.sh. në lidhje me atë që, nga uria, detyrohet të hajë mish të shtazës së ngordhur ose të derrit, thotë:
“E kush shtrëngohet (të hajë nga këto), pa pasur qëllim shijen dhe pa e tepruar, (sa për të mbajtur shpirtin) – për të nuk është mëkat. Vërtet, Allahu fal, është Mëshirues”. (El-Bekare: 173)
Ato ditë që ka prishur ose nuk i ka agjëruar, duhet t’i agjërojë pas Ramazanit. (Shih: Ç`është i urryer për agjëruesin).

6. Ballafaqimi me armikun në luftë.

Bile mosagjërimi është i detyrueshëm, nëse vërtetohet se e dobëson agjëruesin në ballafaqim me armikun në luftë, për shkak të përparësisë së interesit të përgjithshëm krahasuar me atë individual, të cilin njeriu mund ta realizojë më vonë, dhe për shkak të përparësisë së mbrojtjes së besimit të bashkësisë, krahasuar me adhurimin e individit, që mund ta zbatojë më vonë. Ditët që nuk i ka agjëruar, duhet t’i bëjë kaza në ditë të tjera.
Huzejme e ka pyetur Ibn Seidin për agjërimin e Ramazanit në udhëtim, e ai ka thënë: “Kemi dalë me Pejgamberin a.s. në Ramazan, në vitin e çlirimit. Pejgamberi a.s. e agjëronte, e agjëruam edhe ne derisa arritëm në një vend që, sipas transmetimit të Ibni Abasit, quhet Kedid ose Merredhahran, një vend afër Usfanit, e Pejgamberi a.s. tha: “I jeni afruar armikut tuaj, e të ngrënët është më i fuqishëm për ju”. Në këtë rast, disa prej nesh e prishën agjërimin e disa jo, dhe vazhduam udhëtimin, derisa u ndalëm në një vend, ku ai tha: “Në mëngjes do të takoheni me armikun tuaj, ngrënia është më e fuqishme për ju, pra mos agjëroni”.
Nuk është kusht që ditët e kazasë të mos ndahen për atë që ka pasur arsye për të mos agjëruar, por edhe nuk është mirë të vonohet kazaja, për arsye se borxhi i Zotit është më e drejtë të paguhet sa më shpejt, po edhe në qoftë se nuk e ka kryer atë derisa e ka zënë Ramazani tjetër, ai nuk ka obligim tjetër përveç kazasë, duke e konsideruar këtë gjë të urryer (është fjala për vonesën e zëvendësimit të atyre ditëve të mbetura), nëse nuk ka pasur ndonjë arsye.
Transmetohet nga Ibni Omeri r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Ramazanin kaza, nëse dëshiron i agjëron (ditët e mbetura) ndaras, e nëse dëshiron, i agjëron të bashkuara”.
Buhariu thotë se Ibn Abasi ka thënë: “Nuk prish punë nëse kazaja e Ramazanit bëhet me ndërprerje, mbështetur në Fjalën e Allahut xh.sh.:
“Atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë…” (El-Bekare, 184)
Dhe ka heshtur për kazanë pandërprerë, por kjo e fundit është më e vlefshme e më e mirë për shkak se i përngjet agjërimit me kohë (në Ramazan), dhe mbështetur në hadithin e “Darul Kutnit”: “Kush ka ditë të Ramazanit borxh, le t’i agjërojë ato të bashkëngjitur e të mos i ndërpresë”.

Sqarime të ndryshme

– Lejohet të mos agjërojë në Ramazan ai që nis udhëtimin e tij para agimit, d.m.th. para se të fillojë agjërimi i ditës, e nëse nis udhëtimin pas këtij momenti, nuk i lejohet, sepse agjërimi i bëhet i domosdoshëm pas agimit, kur ai ka qenë ende në shtëpi. Pra, ai duhe të vazhdojë agjërimin edhe nëse udhëton pas agimit. Kjo rregull nuk vlen për të sëmurin, për të cilin është lejuar ta prishë agjërimin edhe nëse e ka filluar, kjo sepse udhëtari mund ta shtyjë udhëtimin e tij, kurse i sëmuri s`mund ta shtyjë ose ta mënjanojë sëmundjen që ka.
Mosagjërimi i udhëtarit nuk lejohet përveçse me dy kondita: Nijeti për udhëtim në largësi më shumë se 81 kilometra dhe ai të ketë filluar me të vërtetë, dhe kjo duke kaluar kufijtë e vendit të tij, sepse udhëtimi nuk realizohet vetëm me nijet. E kush mund ta dijë, ndoshta ai që ka vendosur të udhëtojë e ka gëdhirë si joagjërues, e më pastaj i ndodh ndonjë pengesë udhëtimi apo nuk gjen mjet udhëtimi, dhe mbetet në vendin e vet, duke qenë joagjërueshëm pa arsye të ligjshme.
Begaviu në librin e tij “Sherhus-sunneh” ka thënë: “Shumica e dijetarëve mendojnë se atij nuk i lejohet ta prishë agjërimin”. Ky mendim është edhe i Nehaiut dhe Mekhulit; me këtë pajtohen edhe Zuhriu, Maliku, Evzaiu, Shafiu dhe ithtarët e mendimit të lirë (hanefinjtë).
Disa dijetarë të tjerë, si Shabiu dhe Ahmedi, mendojnë se (në atë gjendje) është e lejuar ta prishë agjërimin. Është transmetuar nga Basre El-Gafariu, i cili këtë rast e ka krahasuar me atë që sëmuret gjatë agjërimit dhe për të cilin lejohet ta prishë agjërimin. Mendimi i parë është më i pranuar, ngase udhëtimi nuk është sikurse sëmundja që ndodh pa dëshirë. Kështu, nëse dikush sëmuret gjatë namazit, edhe nëse ka filluar namazin, falet ulur, duke qenë mukiim, e më pastaj bëhet udhëtar me lëvizjen e anijes, në të cilën ndodhet, nuk i lejohet ta shkurtoj namazin.
Nëse vdes myslimani i rritur dhe nuk ka agjëruar disa ditë të Ramazanit me arsye, nuk agjëron askush në vend të tij, por duhet paguar për çdo ditë nga gjysmë sa`a hurma apo një sa`a elb. Mandej, sipas nesh (hanefinjve), për t’u obliguar me këtë pagesë trashëgimtari, nevojitet testamenti. Mirëpo, nëse ai i ka lënë testament, trashëgimtari duhet ta paguajë atë nga 1/3 e pasurisë, e nëse është shuma më e madhe se një e treta dhe trashëgimtari e jep, ajo është vullnetarisht për të vdekurin dhe gjykohet e lejuar. Kjo rregull vlen për myslimanin që ka vdekur, por që ka pasur mundësi t’i bënte kaza ditët e lëshuara, kurse ai që vdes dhe nuk ka pasur mundësi t’i bënte kaza, nuk ka mëkat dhe as testament, sepse ai nuk ka pritur ditët e tjera, si p.sh. nëse sëmuret në Ramazan dhe sëmundja e tij vazhdon me pasojë vdekjen në muajin tjetër Sheval.
– Nëse jep sadaka plaku apo i sëmuri që ka sëmundje të pashërueshme, i cili dëmtohet nëse agjëron, i mjafton fidja për agjërim. Kurse në fetvatë e Ebu Hafsas el-Kebir, thuhet: “Fidjen-kompensimin me ushqim, nëse do, e jep në fillim të Ramazanit, e nëse do – në fund të tij”.
– Kur të bëhet kaza Ramazani, është e urryer të prishet agjërimi për shkak të ndonjë zijafeti, kurse në agjërimin vullnetar preferohet që të prishet, nëse është i sigurt se do ta bëjë kaza, në të kundërtën jo.
– Nëse fëmija hyn në moshën e pjekurisë, ose pabesimtari pranon fenë islame, brenda një dite të Ramazanit, ai duhet të plotësojë atë ditë, dhe (për ditët e kaluara) nuk duhet të bëjë kurrfarë kazaje, ngase nuk e kanë pasur obligim. Në librin “El-Bedai`” thuhet: “Obligim i plotësimit të ditës është për t’u përngjarë agjëruesve, kurse kush ka arsye në fillim të ditës së Ramazanit që të mos e ketë obligim, ose është i lejuar të mos agjërojë, dhe pastaj nuk vlen arsyeja, atëherë agjërimi i bëhet obligim. Pra, nuk i lejohet ushqimi dhe pija (mosagjërimi) fëmijës kur hyn në moshën e pjekurisë, pabesimtarit kur pranon fenë islame, të çmendurit kur shërohet, gruas me menstruacion – kur pastrohet, dhe udhëtarit kur kthehet në shtëpi. Gjithashtu, nëse ai për të cilin është obligim agjërimi, e prish me arsye, ose në ditën e dyshimtë, nuk zgjohet agjërueshëm, e më pas e kupton se është Ramazan, ose ha syfyr duke menduar se agimi nuk ka arritur, e më pas e vërteton se ai kishte arritur, – në të gjitha këto raste ai është i obliguar të heqë dorë nga të ngrënët, për t’u përngjarë agjëruesve.
– Nëse gruas i shfaqen të përmuajshmet (hajzi) gjatë ditës, nuk është e obliguar ta plotësojë agjërimin, sepse, nëse menstruacioni ndodh në fillim të ditës, agjërimi nuk është obligim. Kemal ibn El-Humam, lidhur me fjalën e Allahut xh.sh.: “E kush është i sëmurë prej jush, ose është në udhëtim (e nuk agjëron), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë”, thotë: “Kjo lejon ushqimin dhe pijen për çdo të sëmurë, kurse esenca e ligjshmërisë së mosagjërimit është për të larguar vështirësinë, e përcaktimi i vështirësisë kushtëzohet nga shtimi i sëmundjes, ngadalësimi i shërimit ose dëmtimi i ndonjë pjese të trupit. Gjithashtu kjo duhet të vërtetohet në bazë të përvojës së të sëmurit, ose në bazë të konstatimit të mjekut mysliman, që nuk është i njohur për vepra të liga e jo thjesht në bazë të paragjykimit. Gjithashtu thuhet se drejtësia e tij është kusht. Nëse shërohet nga sëmundja, po mbeten pasojat (si p.sh. dobësimi) dhe ai frikësohet se do t’i kthehet sëmundja, lidhur me këtë është pyetur El-Kadi-l-Imam, i cili ka thënë: “Frika nuk është asgjë”.
– Thevriu thotë: “Është transmetuar nga Ibrahimi, i cili ka thënë: Udhëtari që kthehet nga udhëtimi joagjërueshëm, ose femra që pastrohet nga menstruacioni në fund të ditës, që të dy nuk hanë atë ditë deri në mbrëmje”. Ngjashëm me këtë është transmetuar edhe nga Omer bin Abdul Azizi”.

Agjërimi për tjetrin

Nëse dikush vdes dhe atij i kanë mbetur namaze të pafalura ose ditë të paagjëruara, nuk lejohet të falet apo të agjërojë dikush për të. Por, nëse ka lënë testament për agjërim, lejohet që nga 1/3 e pasurisë së tij t’i paguhet fidja – ushqimi ditor një të varfri për ditët e mbetura, nga gjysmë “sa`a” grurë ose një “sa`a” hurma a elb.
Abdullah ibn Abasi thotë: “Askush nuk falet për tjetrin, dhe as nuk agjëron, po për të ushqehen (të varfrit) për çdo ditë me një mudde – (sasi) gruri.
Malik ibn Enesi thotë: ”Është pyetur Abdullah ibn Omeri: A duhet të agjërojë dikush për dikë tjetër? Është përgjigjur: Askush nuk duhet të agjërojë për tjetrin, as nuk duhet të falet për tjetrin”.
Transmetohet nga Abdurrezaku, me shtesën: “Nëse patjetër do të veprosh, atëherë jep sadaka ose dhuratë për të”.
Umrete binti Abrurrahman ka thënë: “I thashë Aishes r.a.: “Nëna ime ka vdekur dhe ka ditë të paagjëruara, a bën të agjërojë në vend të saj? U përgjigj: Jo, por jepi sadaka një të varfëri në vend të çdo dite, sepse kjo është më mirë se agjërimi yt”.
Ibn Abasi thotë: “Erdhi një grua te Muhamedi a.s. e tha: “Nëna ime ka vdekur dhe i ka mbetur një muaj pa agjëruar. Muhamedi a.s. i tha: Ç`mendon, nëse i ka mbetur asaj ndonjë borxh, a do ta kishe paguar ti? Ajo u përgjigj: Po. Muhamedi a.s. tha: Atëherë borxhi ndaj Allahut është më i rëndësishëm (të paguhet)”.
Ali El-Kariu ka thënë: “Shumica e dijetarëve thonë se nuk agjërohet për tjetrin. Këtë e mbështetin edhe Maliku, Ebu Hanifja dhe Shafiu, në një nga mendimet e tij që konsiderohet më i vërtetë.
Ebu Hanifja thotë: “Ushqehet (një i varfër) për çdo ditë me nga gjysmë “sa`a” grurë, apo me një “sa`a” nga të tjerat (elb, hurma etj., ose vlera e tyre).

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]