Asdren Hoxha, avokati i familjes së Agon Zejnullahut, të ndjerit që “u vra nga pakujdesia” prej pesë zyrtarëve policorë, ka thënë se iu është pamundësuar pjesëmarrja në seancën e pesë policëve të dyshuar për këtë rast.
Hoxha në një prononcim para mediave deklaroi se gjykatësja e procedurës paraprake e informoi që të mos merrte pjesë në seancën ku pritet të caktohet masa e sigurisë për pesë policët e dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, shkruan Insajderi.
“…Mirëpo çuditërisht gjykata e procedurës paraprake më refuzoi me marrë pjesë në seancë dhe me mbet i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar. Unë kërkova sqarime dhe insistova disa herë, mirëpo qasja ke e tillë që nuk duhet me marrë pjesë. Kodi i Procedurës Penale të Kosovës e parasheh neni 63 të drejtat e të dëmtuari dhe neni 64 që pala e dëmtuar me mbet e informuar. Nuk e parasheh shprehimisht prezencën e palës së dëmtuar në seancën për caktimin e masës së sigurisë, mirëpo ka qenë e rrugës dhe e drejt që me pas një qasje dinjitoze pala e dëmtuar, duke mbet e informuar për çështjen. U refuzum, kjo është për keqardhje“, deklaroi Hoxha.
Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve.