fbpx

Babai rrah djalin 4-vjeçar me shkop në sy të bashkëshortes

nga Revista Kosovarja

Një rast tronditës dhune në familje, me viktimë një fëmijë vetëm 4 vjeç, është regjistruar më 5 qershor në Vitomiricë të Pejës, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij të mitur.

Burime të besueshme brenda hetuesisë bëjnë të ditur se dje rreth orës 18:00, Policia është njoftuar për një incident të ndodhur në rrugën “Rrahmon Keqi”, ku dyshohet se D.G., rreth 28-vjeçar ka rrahur djalin e tij të vogël pas një momenti frustrimi, teksa ndodhej në oborr duke punuar.

Dëshmitarja, F. D., rreth 22-vjeçare – bashkëshortja e të dyshuarit dhe nëna e fëmijës – ka dhënë deklaratë në polici, ku ka pohuar se G. ishte vetë-lënduar gjatë punës në një kotec, pas së cilës kishte shpërthyer në agresion duke ushtruar dhunë ndaj djalit të tyre të mitur. Sipas saj, fëmija është goditur me shkop, duke pësuar lëndime trupore.

Policia ka arrestuar menjëherë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë dhe është intervistuar, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën “Dhuna në familje.”

Pas intervistimit, dëshmitarja dhe viktima janë kthyer me vullnet në banesën e tyre, por rasti mbetet nën hetim nga njësitë relevante.

Gazeta Sinjali do të vijojë të ndjekë këtë rast me seriozitetin që kërkon dhuna ndaj të miturve dhe do të sjellë çdo zhvillim të ri.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]