I ftuar në emisionin “Robi plaket kur don vetë”, Bardhi nuk i kurseu fjalët kur foli për kohën e tij në Big Brother VIP Albania 3. Pa filtra dhe pa dramë të sforcuar, ai pranoi se qëndrimi 53-ditor në shtëpinë më të famshme në vend nuk ka qenë aq i thjeshtë sa dukej nga jashtë.
“Shtatë ditët e para ishin më të vështirat. Tre ditë rresht kam kërkuar telefonin,” rrëfeu ai me sinqeritet. “Nuk është për çdo kë. Unë jam kënaqur, por jo në atë nivel që ta quaj eksperienca më e mirë e jetës.”
Ai nuk e fshehu faktin se dinamika e lojës, ndonjëherë e detyruar, e bëri ambientin të ngarkuar: “Je me njerëz që nuk i njeh, dhe ndonjëherë çdo minutë dikush mundohet të kapet pas teje që loja të bëhet më interesante.”
Por, edhe pse BBV nuk ishte “dream come true”, një gjë është e sigurt: nga ajo eksperiencë, Bardhi doli me dashurinë e jetës, Sara Gjordenin. Sot janë të martuar dhe prindër të Neas së vogël, që erdhi në jetë në fund të vitit që lamë pas.