fbpx

BE ndalon përfundimisht “pasaportat e arta” – fundi i blerjes së shtetësisë përmes investimeve

nga Revista Kosovarja

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka marrë një vendim historik që ndalon përfundimisht skemat e njohura si “pasaportat e arta”, të cilat u mundësonin investitorëve të huaj të përfitonin shtetësinë në vendet anëtare të BE-së përmes investimeve financiare, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky vendim i drejtohet veçanërisht Maltës – vendi i fundit që ende lejonte këtë praktikë – duke i dhënë fund programit të saj të shtetësisë përmes investimeve. Më herët, skema të ngjashme ishin ndaluar edhe në Qipro dhe Bullgari.

Sipas Gjykatës, “këto praktika e shndërrojnë shtetësinë në një transaksion tregtar dhe cenojnë lidhjen ligjore e morale mes qytetarit dhe shtetit”. Gjykata theksoi se qytetaria duhet të jetë rezultat i një lidhjeje të vërtetë me vendin përkatës dhe jo vetëm një marrëveshje financiare.

Vendimi u përshëndet nga aktivistë të shoqërisë civile në Maltë. Blogeri antikorrupsion Manuel Delia, një zë i fuqishëm kundër këtij programi prej më shumë se dhjetë vitesh, e quajti ndalimin një fitore për vlerat evropiane. Delia, i cili ka qenë një bashkëpunëtor i afërt i gazetares së ndjerë Daphne Caruana Galizia, ka denoncuar vazhdimisht mungesën e transparencës dhe rrezikun e përfshirjes së personave me precedentë të dyshimtë në këtë skemë, shkruan albinfo.ch.

Komisioni Evropian kishte hapur çështje ligjore ndaj Maltës që në vitin 2022, duke theksuar se “shtetësia e BE-së nuk mund të jepet thjesht në këmbim të investimeve”. Hetimet zbuluan se shumë aplikantë nuk kishin qëndruar realisht në territorin e Maltës, siç kërkohej nga rregullorja.

Vendimi i gjykatës pritet të vendosë një standard ligjor të qëndrueshëm, duke parandaluar çdo tentativë të re nga vendet anëtare për të ringjallur praktika të ngjashme në të ardhmen. Ai konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së integritetit të shtetësisë brenda Bashkimit Evropian.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]