Dy ditë më parë, “Daily Mail” kishte shkruar një artikull për Bebe Rexhën, të cilit i kishte bashkangjitur edhe foto të realizuara nga pushimet e saj në Miami.
Këngëtarja po shijonte ditët me diell bashkë me partnerin e saj, Keyan Safari.
Por, fotot e publikuara nuk i kanë pëlqyer aspak 31-vjeçares, pasi sipas saj, ato nuk janë të “paprekura”.
Ditën e djeshme, ajo ka publikuar disa video në Instastory, ku shfaqet e veshur po me rroba banjot e zeza me të cilat është fotografuar në plazh.
Bebe tregoi trupin e saj siç është në të vërtetë, duke nxjerrë në pah diferencën me fotot e realizuara nga paparacët.
Ajo pranon se ka strija dhe celulit, por nuk është siç duket në fotot e publikuara nga “Daily Mail”.
“Unë shkova në Meksikë me të dashurin tim dhe paparacët postuan disa foto të miat. Dua t’ju tregoj se si dukem me rroba banjot e mia.
Ky është trupi im pa filtra dhe nuk ka lidhje me ato fotot e shëmtuara që janë publikuar në media. Kam shenja, strija, celulit, por nuk kam bërë ndërhyrje, nuk e kam prekur kurrë trupin tim.
Më pëlqen të ha dhe kam ilaçe për shëndetin mendor, kështu që kjo jam unë,”- u shpreh ajo.