Kandidati i Partisë Demoratike të Kosovës Bedri Hamza ka nisur një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është pritur në Washington nga Michael Carpenter, asistent special i Presidentit Biden.
Një ditë pas takimeve të rëndësishme në SHBA, Hamza ka treguar se qëllimi i vizitës në SHBA “është përforcimi i pozitës së Kosovës në SHBA por edhe përgatitja për qeverisjen e ardhshme dhe një faqe e re të ri-ndërtimit të marrëdhënieve strategjike pas zgjedhjeve nacionale”.
“Mesazhi kryesor që mora nga takimi me Ambasadorin Michael Carpenter, i cili është asistent special i presidentit Biden si dhe drejtor i lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, ishte i qartë si gjithmonë: “SHBA-ja përkrah sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Qeveria amerikane dëshiron të shkojmë edhe më tutje dhe ta realizojmë vizionin tonë të përbashkët për integrim në NATO dhe BE. Mirëpo, mbështetja amerikane kërkon partneritet të vërtetë dhe bashkëpunim dhe koordinim bilateral. Kjo është fundamentale, mbi të gjitha, SHBA-të e konsiderojnë Kosovën si shtet partner. Prandaj, edhe kërkojnë që ne të sillemi në përputhje me këtë relacion, të jemi të koordinuar dhe të bashkëpunojmë ngushtë dhe strategjikisht duke menduar për konsolidimin e Kosovës në rrugëtimin drejt NATO-s. Fatkeqësisht, qeveria jonë e ka reduktuar aleancën tonë, në komunikime të ashpra rreth krizave javore me Serbinë“, tha Hamza në një intervistë dhënë nga Washingtoni, për gazetën Express.Hamza ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleate historike dhe se shtetin e Kosovës e konsiderojnë partner, por sipas tij, Kurti aleancën me Uashingtonin e ka reduktuar në komunikime të ashpra për krizat javore me Serbinë.