fbpx

Bedri Hamza viziton Thaçin e Veselin në Hagë: I gjeta të fortë dhe plot shpresë

nga Revista Kosovarja

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka udhëtuar drejt Hagës për të vizituar ish-krerët e UÇK-së dhe ish-bashkëpartiakët e tij, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hamza bëri të ditur se gjatë vizitës i ka gjetur Thaçin dhe Veselin “të fortë” dhe i ka lënë “me plot shpresë”.

“Edhe një herë në Hagë për t’i vizituar presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. I gjeta të fortë dhe i lashë me plot shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë,” shkroi Hamza.

Ai shtoi se qëndrueshmëria dhe besimi i tyre në drejtësi, në Kosovë dhe në aleatët ndërkombëtarë, mbeten një burim frymëzimi për të gjithë.

“E vërteta historike, ajo që populli ynë e ka përjetuar, padyshim se do të rikonfirmohet edhe në Hagë,” theksoi ai më tej.

Hamza shprehu bindjen se rikthimi i tyre në Kosovë është çështje kohe: “Kosova, me padurim, tanimë është duke i numëruar javët dhe ditët e rikthimit të tyre, me bashkëluftëtarët e tyre, në mesin tonë.”

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]