Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se do të shqyrtonte mundësinë për të falur Sean “Diddy” Combs, producentin e njohur muzikor që aktualisht është në gjyq në New York për trafikim seksual dhe krime të tjera.
Komentet befasuese të Trump u bënë gjatë një konference për shtyp, kur u pyet nëse do të merrte në konsideratë një falje për Combs.
“Askush s’më ka kërkuar, por e di që disa po e mendojnë,” tha Trump. “Mendoj se disa njerëz kanë qenë shumë pranë për ta kërkuar.”
Combs u arrestua në shtator, pas akuzave për veprimtari të strukturuar kriminale, drogim dhe detyrim të grave për marrëdhënie seksuale me të dhe të tjerë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Hetimi federal nisi pjesërisht pas një padi civile në vitin 2023 të ngritur nga ish-partnerja e tij, Cassie Ventura, e cila e akuzonte për dhunë fizike dhe përdhunim. Edhe pse çështja u zgjidh menjëherë pas padisë, disa viktima të tjera kanë ngritur padi kundër Combs për akuza të ngjashme në muajt në vijim.
Fillimisht, Combs i mohoi akuzat e Venturës. Por në maj të vitit 2024, CNN publikoi pamje nga kamerat e sigurisë, të marra në një korridor hoteli në Los Angeles, ku Combs shihet duke e goditur me grushte dhe shkelma Ventura-n në vitin 2016.
Combs më pas publikoi një deklaratë në Instagram, ku tha se sjellja e tij ishte “e pafalshme.”
Avokatët e tij e kanë pranuar dhunën ndaj Venturës, por pretendojnë se ai nuk është fajtor për akuzat që po përballet aktualisht. Combs ka mohuar më parë që të ketë kryer ndonjë sulm seksual ndaj ndokujt.
Trump tha se nuk e ka ndjekur gjyqin, i cili nisi në fillim të majit, por pranoi se “është duke marrë shumë vëmendje nga mediat.”
Presidenti shtoi se nuk e ka parë apo folur me Combs prej vitesh, por pranoi se ata janë takuar më herët.
“Dikur më pëlqente shumë,” tha Trump për marrëdhënien me Combs. “Mendoj se kur hyra në politikë… ajo marrëdhënie u prish. Të paktën sipas asaj që kam lexuar. Nuk ma ka thënë ai, por kam lexuar disa deklarata të pakëndshme.”
“Sigurisht që do të shikoja faktet. Nëse mendoj se dikush është trajtuar padrejtësisht – pavarësisht nëse më pëlqen apo jo – kjo nuk do të ndikojë në vendimin tim,” tha Trump.
Falja e Combs në rast se shpallet fajtor do të ishte një vendim tepër i diskutueshëm, për shkak të natyrës së akuzave dhe vëmendjes publike që ka marrë çështja.
Megjithatë, Trump ka falur edhe më parë personazhe të famshëm, si gjatë mandatit të parë, ashtu edhe në të dytin.
Këtë muaj, ai ka falur yjet e televizioneve realitet Todd dhe Julie Chrisley, si dhe reperin NBA YoungBoy. Ai gjithashtu ka dhënë një falje të përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në trazirat e 6 janarit në Kapitol.