Bekim Ibrahimi është zëri që jehon prej vitesh e që muzikës shqipe i ka dhuruar këngë të mrekullueshme me tematika nga më të ndryshmet, shpesh shumë goditëse.
Nëse kthehemi në kohë, kujtojmë hitin e madh të Bekim Ibrahimit, këngën me titull “UÇK thërret Kosova”, që ishte tejet e guximshme për kohën.
Vite më pas, në kohën kur këngëtari e ka gjallëruar më shumë se kurrë karrieren e tij muzikore, duke i shtuar një kolorit të jashtëzakonshëm me këngë nga më të ndryshme, vjen befasia e radhës.
Këngëtari Bekim Ibrahimi ka lansuar këngë për Komandantin Legjendar Adem Jashari. “E kisha prej kohësh si ide, por nuk ishte e lehtë ta gjeja metaforën e tekstit. Si për shumë projekte të tjera, edhe për këtë projekt bisedova me poetin Jahe Fida. Pas shumë bisedash e rrahje mendimesh, pas disa variantesh, pikërisht në bisedën e fundit më erdhi në mëndje refreni i këngës. Ia tregoj poetit dhe çuditërisht ai më thotë: Shkruaje që të mos na iki ky refren, pasi është i duhuri. Është pikërisht refreni që këndohet në këngë. Strofat dhe redaktimin i ka realizuar poeti Jahe Fida, të cilin e falenderoj e shumë. Dhe për këto është dashur shumë punë. Koncepti ynë ishte të sillnim për adhuruesit një projekt sa më dinjitoz dhe i konceptuar ndryshe nga projektet e shumta të realizuara nga të tjerë këngëtar. Besoj dhe shpresoj që ia kemi arritur”, thotë këngëtari, duke na treguar se ai e ka bërë edhe komponimin e këngës, ndërkaq për orkeatrimin dhe masterizimin është punuar profesionalisht në studio tek Alfred Kaçinari.
Sa i përket videoklipit, Regji & Skenografi: Bekim Ibrahimi, Kamera & Videomontimi: Artfabe, Koreograf: Qemajl Musliu, Valltarët: AKV Gjilani, Shesh xhirimet: Kompleksi Memorial Adem Jashari, Prekaz.
“Më është kërkuar shpesh herë të këndoj për dëshmorë apo heronjë të tjerë të luftës e më shumë se kaq. Nuk kam preferuar të këndoj për figura të veçanta. Kur është fjala për Adem Jasharin, çështja është ndryshe. Ai është krijuesi i UÇK-së, është vet UÇK-ja. Aty merrë jetë e udhë vet pavarësia dhe liria e Kosovës. Ai nuk është individ, por simbolika emblematike e historisë së ndritur të kësaj ushtrie çlirimtare. Duke kënduar për heroin tonë legjendar, kam kënduar për çdo luftëtarë që mori pjesë në luftën çlirimtare dhe për çdo dëshmorë të sajë. Me që jemi në këtë pikë, kisha dhe një objektiv kohorë. Kënga të dilte pikërisht në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe para rilindjes së të pavdekshmit, HEROIT TONË KOMBËTAR Adem Jashari, thotë këngëtari Bekim Ibrahimi.
Më poshtë gjeni linkun e këngës “Adem Jashari o Adem Jashari” nga Bekim Ibrahimi.