Takimin e djeshëm virtual në mes të Avdullah Hotit dhe Aleksandër Vuçiq, ndërmjetësuar nga Angela Merkel e Emmanuel Macron, e ka përshëndetur kandidati i demokratëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Ai ka dhënë një deklaratë për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, në New York, duke pohuar se ky rifillim dialogu është “një hap vital përpara në këtë rajon kritik” dhe i ka inkurajuar dy palët të futen në dialog duke i siguruar se e kanë mbështetjen amerikane.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila sjell njohjen reciproke, ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy vendeve si dhe përforcon institucionet e tyre demokratike, është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara”, thotë Biden.
“Ajo do të fuqizonte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve, do të përparonte aspiratën e tyre për anëtarësi në Bashkimin Europian dhe institucione të tjera shumëpalëshe, si dhe do të mbështeste vizionin e një Europe të plotë, të lirë dhe në paqe”.
Biden shton se SHBA-të dhe shtetet evropiane duhet të bashkëpunojnë në këtë ndërmjetësim.
Arritja e këtij synimi kërkon bashkëpunim ndëratlantik. Historia na mëson se kur Shtetet e Bashkuara dhe Europa udhëheqin së bashku, mund t’u japim fund konflikteve dhe të hapim rrugën mundësive të reja për paqe dhe begati – në Europën Juglindore dhe përtej”.
Biden e ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump, për qasjen e tij në raport me Kosovën e Serbinë.
“Administrata Trump nuk arriti të koordinohet me të dërguarit e Bashkimit Europian — të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për gati një dekadë — kur organizoi takimin në Shtëpinë e Bardhë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar. Ndërkohë që takimi në fund u anulua, mesazhi për partnerët tanë ishte i qartë dhe i fortë. Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë bashkë me partnerët tanë evropianë dhe jo t’u kthejmë kurrizin”.
“Kjo është shpresa jonë më e mirë për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme që do t’ia hapte rrugën drejt një të ardhmeje më paqësore, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet”