fbpx

Bizneset japin alarmin: Faturat e rrymës u dyfishuan, ngritje e çmimeve të produkteve ose dryni, shteti të ndërhyjë

nga Revista Kosovarja

Vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike, 16 për qind, po godet drejtpërdrejt sektorin privat në Kosovë.

Bizneset prodhuese thanë për Ekonomia Online se kanë rritje të ndjeshme të faturave mujore të energjisë elektrike, me pasoja që tashmë kanë filluar të ndihen: nga paralajmërimet për zvogëlim të numrit të punëtorëve, deri tek shtrenjtimi i produkteve dhe ndalimi i investimeve të planifikuara.

Përfaqësues të bizneseve thonë se ky vendim po krijon kushte të papërballueshme për funksionim, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të shmangur një krizë më të thellë ekonomike, që mund të çojë deri te mbyllja e një numri biznesesh.

Leonard Llolluni, drejtor në kompaninë “Juniku SHPK”, e cila merret me prodhimin e ujit të pijshëm, thotë se faturat e energjisë për kompaninë e tij janë dyfishuar brenda një muaji.

“Ne si kompani qysh muajin e kaluar e kemi vërejtur që kemi pasur një rritje të faturës të energjisë elektrike, thuajse 100 për qind. Nëse ne e kemi paguar diku 1500 euro rrymën në muaj, tani e paguajmë faturën që na ka ardhur 3200 euro. Do të thotë 100 për qind kemi pasur ngritje të çmimit dhe ka ndikuar shumë negativisht te ne si kompani”, tha Llolluni.

Ai paralajmëron se ky shtrenjtim të rrymës mund të ketë pasoja të rënda për kompaninë, duke përfshirë “shkurtimin” e stafit dhe shtrenjtimin e produkteve të tyre. Nënvizon se ndërmarrësit nuk do të mund të mbijetojnë pa ndihmë institucionale.

“Ne detyrohemi që edhe ta ulim numrin e punëtorëve. Detyrohemi që t’i shtrenjtojmë çmimet e produkteve tona dhe gjithashtu rrezikojmë edhe që të kemi pengesa në të ardhmen për zhvillimin e biznesit tonë. Ne gjithashtu duhet të investojmë tani veç në rrymën solare. Përndryshe, nuk kemi asnjë lloj llogarie që të punojmë me këtë shtrenjtim të rrymës që e kemi. Gjithsesi duhet ngritur çmimet. Thirrja jonë është që institucionet sa më shpejt t’i vizitojnë bizneset që punojnë dhe shfrytëzojnë rrymën. Është e papërballueshme ngritja e çmimit të rrymës”, tha ai.

Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Ajet Brahimi, menaxher i shitjes në kompaninë “Msillos”, një fabrikë që prodhon koncentrat ushqimor për kafshë dhe shpendë.

“Sigurisht çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike ndikon negativisht tek fabrikat, si edhe në rastin tonë që ndikon në rritjen e çmimit të produktit. Kështu që në këtë formë kemi një disbalanc mes kërkesave. Tash bëhet barrë edhe për blerësit tanë dhe kështu që kjo është një formë zinxhirore, që e pengon produktin për ta prodhuar ose dhe për bizneset e tjera. Faktikisht, më së tepërmi është duke i prekur bizneset”, tha Brahimi.

Ai kritikon mënyrën si është bërë kalkulimi i tarifave të reja dhe i kërkon shtetit të ndërhyjë.

“Mendoj që është dashur që të krijojë lehtësime për bizneset e jo të krijojë vështirësi, sepse në bazë të këtyre bizneseve po punësohen, po gjenerohen vende të punës dhe kështu që kjo qasja si po veprojnë këtu nuk është në rregull. Sepse, me sa kam dëgjuar një MGË energji elektrike KEDS e blen nga KEK me 29 euro dhe e shet me 129 euro. Kjo tregon se çfarë fitimi të madh ka, por kjo në të njëjtën kohë rrezikon edhe falimentimin e KEK-ut se po ja blen rrymën shumë lirë dhe këndej po e shet shtrenjtë. Dëmi është i dyanshëm: po dëmton KEK-un, po i dëmton bizneset, po i dëmton qytetarët . Kjo duhet të shqyrtohet nga ana e shtetit”, tha për EO, Brahimi.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]