Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja.
Në njoftim bëhet e ditur edhe se, të dy ata kanë diskutuar për implikimet e moskonstituimit të institucioneve në procese të tjera të rëndësishme për vendin.
‘‘Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin gjerman Jörn Rohde
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde.
Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja. Me këtë rast, u diskutua edhe për implikimet e moskonstituimit të institucioneve në procese të tjera të rëndësishme për vendin’’, ka njoftuar Presidenca.
Tutje, bëhet e ditur po ashtu edhe se në takim Osmani e Rohde kanë folur edhe për mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Gjermanisë, në dritën e një qeverie të re në Gjermani,
‘‘Gjatë diskutimit, u trajtuan gjithashtu mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në dritën e një qeverie të re në Gjermani, si dhe për angazhimin e përbashkët në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë’’, shtohet në njoftim.
Në fund, presidentja ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
‘‘Presidentja Osmani falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në dobi të të dyja vendeve’’, përfundohet në njoftim.