fbpx

Burri i vdiq, varfëria detyron nënën shqiptare të ndahet nga 4 fëmijët

nga Revista Kosovarja

Sot në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në Abc News është transmetuar historia e dhimbshme e Elisabetës, një grua e ve, nënë e katër fëmijëve.

I shoqi ka vdekur në një aksident tragjik, ndërsa vetë jeton në varfëri e skamje. Ajo i ka larguar fëmijët nga fshati për një të ardhme më të mirë dhe ndodhet e vetme, me lot dhe dhimbje.

“Jeta ka qenë shumë e vështirë. U martuam, fillimisht i kishim shtëpitë, por na u prishën. Mezi i ndërtuam, burri me gjithë vëllezërit. Shtëpia u nda, na ra një dhomë. Në atë dhomë kemi jetuar me të keq me vuajtje. Im shoq punonte për të mbajtur 5 frymë të tjera, për bukë, me borxhe. Atë zetor të uruar e bleu me borxhe për të mbajtur fëmijët, e në fund… ajo i mori jetën. Humbja e bashkëshortit qe një gjë shumë e madhe. Iku në mëngjes e mori dhe djalin me vete, të shikonte tokën. Djali e di si e ka përjetuar… vdekja e tim shoqi ishte shumë e rëndë, se i la fëmijët e nuk i gëzoi. Familja u nda, u bë fije fije… rri në shtëpi me shpresën nëse do i shoh në fundjavë. Familja u nda në katër pjesë, janë të katërt fëmijët të ikur nga shtëpia. Jetoj me lot në sy. Nga pamundësia u bënë të tëra, jetesën nuk e përballojmë dot kështu. Jetoj me asistencë, 60 mijë lekë të vjetra. Punojmë tokën nga pak… fshati është i vështirë pasi është malor, çdo gjë bëhet me krah. Çezma për ujë është një orë vajtje ardhje. Edhe djali kur vjen më ndihmon, bëjmë ndonjë dru që të ngrohemi”, ka treguar Elisabeta.

Ajo ka kërkuar nga shqiptarët ta ndihmojnë me një banesë modeste, ku të mundet të jetojë bashkë me fëmijët e saj.

“Unë dua të kem fëmijët tok. Një banesë, sado e vogël, të mbledh fëmijët. I kërkoj shqiptarëve të më ndihmojnë, të kem mundësi të jem me fëmijët”, ka shtuar gruaja.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]