Koncertet e planifikuara të këngëtares serbe Ceca, në Malin e Zi, kanë ngjallur polemika.
Prania e saj ka sjellë kundërshtime të forta nga komuniteti shqiptar në vendin fqinj dhe jo vetëm, të cilët po bëjnë thirrje për bojkotim të koncertit.
Svetlana Raznatoviç (Ceca), e njohur si një ikonë e muzikës pop-folk në Serbi, është një figurë e kontroverse, pasi bashkëshorti i saj, Zeljko Raznatovoç (Arkani) akuzohet për krime lufte gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi, përfshi edhe atë në Kosovë.
Organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët shqiptarë e akuzojnë këngëtaren se ka mbështetur krimet e luftës dhe se ka qenë pjesë e një regjimi që ka shkaktuar shumë vuajtje dhe dëme për popullin shqiptar. Kritikët argumentojnë se prania e Ceca-s është një provokim.
“Nuk jam kundër artit, nuk jam kundër muzikës, se jam rritur me atë muzikë në Mal të Zi dhe e dëgjoj. Por po, jam kundër me më ardhë dikush në breg të shtëpisë të më këndojë këtu që burri i saj ka vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm. Por gjithkush ka të drejtë në zgjedhjet e veta. Kaq prej meje”, tha modelja shqiptare, Emina Cunmulaj në një postim në Instagram Story disa ditë më parë.
Reagim të ashpër ka bërë edhe ish-koloneli shqiptar, Dritan Demiraj. “Të gjithë bashkëkombësit tanë në Malin e Zi duhet t’i bashkohen thirrjes së organizatave shqiptaro-amerikane nga diaspora në Mal të Zi për të bojkotuar koncertin e këngëtares serbe Svetlana Raznatoviç, ish-bashkëshortes së kriminelit famëkeq Zlejko Raznatoviç (Arkani). Ai ka qenë komandant i forcave paramilitare serbe “Tigrat” përgjegjës për vrasje dhe gjenocid kundër fëmijëve, burrave dhe grave të paarmatosur në Bosnje dhe në Dardani, në Reçak”.

Por organizatorët e koncertit argumentojnë se kjo është një shfaqje artistike dhe se bojkotimi nuk do të sjellë gjë tjetër veç se tensione dhe ndarje mes komuniteteve të ndryshme etnike në Malin e Zi.