fbpx

Çfarë është kastrimi kimik dhe në cilat shtete aplikohet

nga Revista Kosovarja

Çfarë është kastrimi kimik?

Kastrimi, termi i të cilit në shqip është tredhje, është praktika e heqjes, rëgjimit ose mpirjes së organeve mashkullore të një kafshe ose njeriu, me qëllim që ta bëjë të paaftë të kryejë marrëdhënie seksuale ose të krijojë pasardhës. Kastrimi kimik konsiston në përdorimin e medikamenteve të ndryshme për të zvogëluar dëshirën dhe aktivitetin seksual. Kastrimi kimik përgjithësisht realizohet në cikle, megjithëse efektet kanë prirjen të jenë të përhershme në trup. Në maj të vitit 2016, New York Times raportoi një numër të madh vendesh që përdorin pastrimin kimik ndaj abuzuesve seksualë.

Protestuesit kërkojnë kastrimin kimik të përdhunuesve

Efekti te burrat dhe gratë

Efekti te burrat: Përdorimi i barnave të kastrimit kimik zvogëlon aktivitetin dhe fantazitë seksualë. Nuk ka efekte anësore që kërcënojnë jetën. Raportet tregojnë se njerëzit që i ushtrohen kastrimit kimik kanë rritje të yndyrës në turp dhe dëmtim të kockave, që rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të osteoporozës.

Efekti te gratë: Kur përdoret te gratë, kastrimi kimik ka efekte të ngjashme, megjithëse në këtë pikë kërkimet janë më të pakta, pasi shumica e hulumtimeve përqëndrohet te efektet që shkaktojnë te burrat, për sa kohë përdorimi tek ata është më i madh.

Përdorimi te abuzuesit seksualë

Kastrimi kimik shpesh shihet si një alternativë më e lehtë krahasuar me burgimin e përjetshëm ose dënimin me vdekje (në vendet ku aplikohet kjo masë ndëshkimore) sepse lejon lirimin e shkelësve të ligjit dhe zvogëlon/eleminon mundësinë që ata të rikryejnë abuzimin.

Në një studim të vitit 1981, 48 burrave me histori të gjatë të sjelljeve seksuale jo normale, iu dhanë acetate medroxyprogesterone për 12 muaj. 40 prej tyre patën ulje të sjelljeve seksuale devijuese, fantazira më pak të shpeshta dhe më shumë kontroll për sjelljet e tyre.

Përdorimi i kastrimit kimik në Europë

Kastrimi kimik është përdorur në Europë vite më parë, fillimisht jo për abuzuesit seksualë. Në vitit 1952, në Mbretërinë e Bashkuar, Alan Turing, i njohur për kontributet e tij në matematikë dhe shkencat kompjuterike, u shpall fajtor sepse kishte kryer marrëdhënie homoseksuale dhe pranoi kastrimin kimik për të shmangur burgun. Në atë kohë, marrëdhëniet homoseksuale ishin të paligjshme dhe ky orientim seksual konsiderohej gjerësisht si sëmundje. Turing ndërroi jetë dy vite më vonë si pasojë e efekteve të rënda anësore (zmadhim i gjirit).

Në vitet 1960, Gjermania përdori kastrimin kimik për trajtimin e parafilisë seksuale – përvoja, fantazi dhe sjellje seksuale të pazakonta.

Në vitin 2008, pati një eksperiment në burgjet portugeze për përdorimin e kastrimit kimik, që më pas përfshiu edhe vendet e rehabilitimit.

Në shtator të 2009-s, Polonia i dha fuqi ligjore kastrimit kimik ndaj pedofilëve dhe ligji hyri në fuqi në vitin 2010. Prandaj në Poloni, kushdo që shpallet fajtor për abuzimin me një fëmijë nën moshën 15 vjeç, i nënshtrohet terapisë së detyruar të kastrimit kimik dhe terapive psikologjike për të zvogëluar sjelljet seksuale devijuese.

Në vitin 2012, Moldavia njohu me ligj kastrimin kimik ndaj pedofilëve. Dy vite më vonë, Estonia aprovoi kastrimin vullnetar kimik si një alternativë e burgimit, por përdoret rrallë si praktikë.

Në 2013-n, Maqedonia e Veriut propozoi kastrimin vullnetar të abuzuesve seksualë dhe nëse përsëritet vepra penale, kastrimi është i detyrueshëm.

Vende të tjera ku aplikohet kastrimi kimik: SHBA, Koreja e Jugut, Rusia, Zelanda e Re, Indonezia, Izreli, India etj.

Pyetje e rëndësishme: A funksionon?

Studiues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jashtë saj kanë treguar se kastrimi kimik ka sjellë ulje të sjelljeve devijuese të personave të dënuar për ngacmime dhe abuzime seksuale, krahasuar me njerëzit që, pas përfundimit të dënimit, u larguan nga burgjet pa ndonjë trajtim të tillë.

A ka mendime kundër?

Disa kritikë thonë se ligji i kastrimit kimik duhet të mos jetë i detyrueshëm, por abuzuesve t’u propozohet të qëndrojnë në burg ose t’i nënshtrohen kastrimit kimik. Megjithatë kjo praktikë ndiqet edhe në rastet kur abuzuesit seksualë lënë insitucionet ligjore.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]