Sot u nda nga jeta, ciceroni i parë i Shpellës së Gadimes, Fahri Tasholli, i cili punën përkatëse në këtë vend dhe në këtë detyrë e filloi që në vitin 1976, atëherë kur shpella u hap për vizitorë.
Fahri Tasholli mbahet mend nga mijëra vizitorë të cilët u ndodhën para tij për t’ua shpjeguar çdo detaj të kësaj mrekullie natyrore, kur pas hyrjes në shpellë, kumbonte zëri i tij në hapësirat akusike prej guri të mermerit: „Jemi në Shpellën e Mermertë në Gadime, të cilën rastësisht duke nxjerrë gurë në oborrin e tij e zbuloi bashkëfshatari ynë Ahmet Asllani në vitin 1967“, për të vazhduar pa ndërprerë me vizitorët e të gjitha moshave udhëtimin nën gur nëpër korridoret prej 1200 metrash gjatësi duke terguar çdo detaj, çdo fenomen të atyre stalagtiteve dhe stalagmiteve që bënin mrekullinë, deri te „Salla e lotëve“ ku kristalet e mermerta pikojnë vazhdimisht.
Gjuha e tij e qartë, mënyra e të rrëfyerit dhe papërtueshmëria që t’i përgjigjej interesimit të çdo vizitori, atë e bënë një njeri ikonë të kësaj mrekullie që e ka jo vetëm Gadimja, por e gjithë Kosova. Fahri Tasholli në këtë shpellë punoi edhe kur nuk paguhej, edhe kur binte nata, vetëm e vetëm që të mos ktheheshin të zhgënjyer vizitorët e largët.
Zëri i tij do të kumbojë ende i ruajtur në qindra videoemisione të televizioneve vendore e ndërkombëtare, ku ai në mënyrë të përpiktë , shpjegonte fenomenet speleologjike që kishin lindur këtë bukuri miliona vjeçare, por të fshehur në kodrën Murtur të Gadimes. / F.T/ Kosovarja/