Cilën moshë të femrave e ha tregu kosovar dhe cila moshë mbetët në rrugë, pavarësisht shkollimit dhe përvojës?
Në këtë temë flasin femrat e punësuara dhe të papunësuara…
Atifete S., 27 vjeçe, e punësuar:
– Kam gjetur punë në një firmë private dhe më kanë pranuar mirë. Jam menaxhere. Nuk kam pasur kurrfarë kushtëzimi kur jam paraqitur për punë.
E kam kryer Fakultetin Ekonomik, Drejtimi i Marketingut. Punën e zotëroj dhe nuk kam kurrë probleme me shefat e mi.
Kjo më bën që të jem e pa konkurrencë.
Por, nuk jam e edhe në disponim të mirë, meqë ende nuk e kam kryer obligimin si femër – martesën.
Liridona A., 24 vjeçe, e papunë:
– Ka kohë që konkurroj si në punë shteti, ashtu edhe në firma private, por deri më tash vetëm 6 muaj kam punuar në një firmë, sepse pas punës praktike nuk ma vazhduan kontratën.
Kudo ku paraqitem, më thonë njëjtë: “Lëre numrin e telefonit, ne të lajmërojmë vetë!”.
Por, koha po ecë e unë po e kaloj rininë pa punë, e të mos flasim për martesë, sepse s’ke si të gjesh mashkull për martesë kur je e papunë…
Arta, nga Prishtina, 25 vjeçe, e punësuar:
– Para 5 vjetësh u interesova për punë në një firmë të vogël. Pronari, kur më pa se isha e re dhe e bukur, më tha: “Nuk kemi nevojë për punë, por për ty ia bëj disi…”.
Dhe, pasi e shikova drejt në sy, i thashë: “Meqë nuk paske nevojë për punë, s’ka nevojë të bësh kurrfarë lëshimi!”.
Por, deshi Zoti po ato ditë dëgjova nga një shoqe imja se një firmë e madhe në “Veternik” ishte hapur. U interesova dhe u punësova.
Rrogën e marrë me rregull. Nuk kam probleme. Pak ka vështirësi në udhëtim, meqë autobusi që shkon për në Hajvali nganjëherë mbushet me udhëtarë dhe ta zënë frymën, por veturë timin nuk kam, andaj edhe kjo gjë po kalohet…
Nersihe K., 26 vjeçe, e papunë:
E kam kryer shkollën e mesme të mjekësisë. Kam aplikuar për punë në shumë konkurse publike, por kurrënjëherë nuk kam arritur të punësohem.
Të afërmit e mi gjithmonë më kanë thënë se pa e gjetur dikë të njohur nuk do më pranojnë në punë.
E, ku me e gjet atë të njohur?
B. D., 27 vjeçe, e punësuar dhe e martuar:
– Jam pranuar në punë para 4 vjetësh. Por, gjithmonë përlahemi me burrë, meqë frikësohet se kam lidhje me personin që më ka pranuar në punë.
Im burrë është munduar të ma gjej një vend tjetër të punës, në ndonjë firmë tjetër, por deri më tash nuk ka pasur sukses.
Thënë të drejtën, edhe unë kam dëshirë ta ndërroj vendin e punës, vetëm e vetëm që t’i mbyllet goja tim burri, e unë të fle rehat.
Përfundim
Sado që edhe të punësuarit po e lëshojnë Kosovën për jetë më të mirë në shtetet e Perëndimit, megjithatë është vështirë të sigurohet një vend pune, meqë numri i të papunëve është i madh.
Sepse, vende të reja pune nuk po hapen, por po plotësohen vetëm ato vende që kanë qenë më parë të hapura…
E, kjo nuk e zbutë papunësinë…
D. H. (Kosovarja)