Mediumi prestigjioz amerikan CNN ka renditur këngën “Zjerm” nga Shkodra Elektronike si më të mirën e këtij edicioni të Eurovision Song Contest, duke i dhënë Shqipërisë një vlerësim të jashtëzakonshëm në skenën evropiane të muzikës.
Në artikullin e publikuar të premten, ku renditen 26 këngët finaliste të këtij edicioni, CNN e ka pozicionuar Shqipërinë në vendin e parë. Autori i shkrimit, Rob Picheta, e përshkruan dyshen shqiptare si “dyshja më e papritur” e këtij viti në Eurovision.
Në një prononcim për CNN-in, këngëtarja Beatriçe Gjergji tha se pjesëmarrja në këtë garë nuk përkon me stilin e tyre muzikor:
“Eurovisioni në fakt nuk është një tip i muzikës sonë,” ka thënë ajo.
Pikërisht kjo diferencë, sipas Pichetës, është ajo që i ka dhënë avantazh Shqipërisë, duke e bërë “Zjerm” të dallohet si një këngë unike në mesin e garuesve dhe të tërheqë vëmendjen e publikut.
“Nëse beson në llojin e muzikës që do, ndoshta mund të ndodhë diçka,” është shprehur Beatriçe Gjergji, duke reflektuar mbi suksesin dhe risinë që solli grupi në Eurovision.