fbpx

Ç’thotë albanologu suedez Ullmar Qvick për Sabri Maxhunin-Novosellën?

nga Revista Kosovarja

Albanologu suedez Ullmar Qvick është njohës i mirë i shqipes dhe i shqiptarëve. Është autor i librit “Më shumë heroizma sesa grurë”, libër të cilin ia riboton Sabri Maxhuni-Novosella.

Me këtë rast, albanologu suedez, për Sabriun thotë:

Në botën shqiptare Suedia ka fituar disa miq besnikë, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin një kontribut të çmueshëm miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve dhe popujve tanë.

Në tekstin e mësipërm kam përmendur disa prej tyre, mirëpo fati i njeriut ka të papritura, disa herë për të mirë dhe, në kohën e fundit, mora një sihariq të madh: Do të sigurohet ribotimi i librit tim me titull “Më shumë heroizma sesa grurë” në Kosovë, me 2000 kopje, nën kujdesin ekonomik dhe shpirtëror të mikut tim të vjetër – Sabri Maxhuni Novosella.

Z. Sabri është i njohur si intelektual dhe humanist në Kosovë dhe Shqipëri; veprimtaria e tij publicistike meriton vëmendje të madhe edhe në qarqet e intelektualëve dhe të politikanëve kudo, të cilët merren me problemet ballkanike në përgjithësi dhe me problemin shqiptar në veçanti.

Z. Sabri Novosella fitoi një simpati dhe dashuri për Suedinë kur mori strehim në këtë vend nordik, si refugjat politik, për arsye se ai, si patriot shqiptar dhe njeri liridashës, kishte rënë në konflikt të përhershëm me regjimin titist të Jugosllavisë.

Me shpirt dhe zemër z. Sabri mbetet shqiptar i flaktë, ndërsa në tru e mendje është shndërruar në suedez! Ai ka fituar një tolerancë dhe bindje demokratike, tipike për Suedinë reformiste dhe i pajisur me këto veti ai shqyrton dhe analizon thellësisht problemet e popullit të vet, duke dhënë një kushtrim për drejtësi dhe demokraci në marrëdhëniet ndërballkanike.

Më gëzon shumë – por nuk më çudit fare – bujaria e mikut tim Sabri Maxhuni Novosella, i cili ka në zemër edhe sot vendin e tij të dytë, Suedinë. Ai, për atë arsye, menjëherë tregoi gatishmëri për të financuar ribotimin e librit tim në Kosovë.

Sabri Maxhuni Novosella ka fituar një vend të veçantë nderi në marrëdhëniet miqësore dhe kulturore midis popullit shqiptar dhe popullit suedez.

E, financimi i ribotimit të librit të albanologut suedez është vetëm një nga qindra financime që i ka bërë Sabri Maxhuni-Novosella gjatë jetës së tij si humanist.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]