fbpx

Ç’thotë babai i 23 fëmijëve?

nga Revista Kosovarja

Druari i Vushtrrisë, vendbanim me rreth 300 shtëpi, njihet si një prej fshatrave patriotike të kësaj komune, në të gjitha valët e jetës kundër Serbisë. Më 1999 i kishin djegur rrafsh me tokë shtëpi më shtëpi dhe për kuriozitet, si rrallë kund në Kosovë, serbët ishin përkujdesur që edhe hunjtë e gardhit të digjen, e të mos mbetët gjë në këmbë, shkruan “Kosovarja”.

Në familjen Bojku, i vëllai i Hajzerit, Aliu, ra dëshmor dhe një rrugë e Druarit mban emrin e tij “Ali Bojku”.

E Hajzer Hysen Bojku, në kohën kur e vizituam më 2017, ishte babai i 23 fëmijëve…

Hajzer Bojku, nga Druari i Vushtrrisë, është baba i 23 fëmijëve. 18 i ka gjallë, ndërsa pesë i kanë vdekur. Statistikisht është i treti në Kosovë për nga numri i fëmijëve.

I pari, me 32 fëmijë, është nga komuna e Prishtinës, i dyti, me 26 fëmijë, është nga fshati Harilaç i Fushë-Kosovës, dhe, i treti, me 23 fëmijë, është Hajzer Bojku, nga Druari i komunës së Vushtrrisë.

Hajzer Bojkun nuk është zor ta gjesh në Vushtrri. Më zor është ta gjesh në shtëpinë e tij, në Druar, ku nuk rri gjatë ditës. Ai del në mëngjes nga shtëpia për në Vushtrri, për t’u kthyer në mbrëmje.

Burri shtatgjatë e me plis, me qystek ore të xhepit, me stil “allaturka”, është i njohur në Vushtrri. E njohin të gjithë, meqë ditën e kalon me shokë të brezit të vet në çajtoret afër “Xhamisë së Çarshisë” në Vushtrri.

Ai falë drekën në xhami dhe para se të bie mbrëmja niset për në katund, ku e ka shtëpinë.
Duke folur për jetën e vet, peripecitë dhe vuajtjet, ai thotë:

“I kam mbushur 92 vjet. Shikoni gishtërinjtë e mi, m’i kanë paralizuar serbët para luftës së vitit 1999. Policët më dërguan në stacionin policor në Vushtrri dhe më rrahën aq sa mezi mbeta gjallë.

Nga pasojat e asaj rrahjeje katër gishta më kanë mbetur të shtangur dhe nuk mund t’i drejtoj, sepse është shkatërruar sistemi nervor i tyre.

Më rrahën për të vetmin qëllim: pse kisha bërë shumë fëmijë… se me fëmijë do i rezistoja Serbisë…

Në fakt, nuk është bash pa bazë ajo që thoshin serbët, por sa herë më mëshonin më thoshin çka të janë dashur 23 fëmijë…

I frikësonte numri i madh i fëmijëve të mi, edhe pse jeta me fëmijët e mi e ka një anë tragjike me tri gra, dy prej të cilave më kanë vdekur”, thotë plaku pedant nga pamja dhe gardëroba, për të kaluar te arsyet historike se kush ishte familja Bojku nga Druari”.

Më 1941 serbët vranë 3 shqiptarë për 1 serb!
Dhe, duke treguar historikun familjar, ai thotë:
“Në vitin 1941, në oborrin e shtëpisë sonë, mbetën të vrarë 28 kufoma. Kur hynë serbët në shtëpi më 1941, ne i vramë shtatë prej tyre.

Më pas pushteti serb dërgoi përforcim dhe, kur ata u futën në oborrin tonë, erdhën me një vendim të prerë: Tre anëtarë të familjes sonë do i vritnin për një serb, që e kishim vrarë në oborrin tonë.

Në këtë mënyrë, zgjodhën 21 anëtarë të familjes dhe i pushkatuan në oborrin e shtëpisë sonë. Di se aso kohe mbetëm diku vetëm katër anëtarë dhe shtëpia u pakësua nga familja. Tani familja ime jemi 86 anëtarë, e që është për lakmi…

Më kanë rrahur edhe në kohën e Rankoviqit. Familja jonë: katragjyshi, babagjyshi dhe babai im kanë vdekur nga plumbi i serbit! Më rrahën se kemi qenë familje në zë për vrasje me serbët në luftëra dhe në kohë të trazuara.

Në kohën e Jugosllavisë kemi qenë të izoluar krejt familja. Nuk kemi pasur të drejtë as të votojmë! Jo që donim të votonim, sepse nuk kishim për kë të votonim pos për ata që ishin me Serbinë…

Nuk na kanë lënë të shkollohemi më shumë se me katër vjet shkollë, aq sa i kam edhe unë. Ne kurrë nuk kemi punuar në punë të shtetit, por me lopatë e punë të tjera fizike.

Kam qenë edhe pjesëmarrës i Aradhes së Shaban Polluzhës, e që bëri histori, duke mos pranuar urdhrin e komunistëve.

Pra, isha në sy të serbëve dhe na e njihnin historikun e familjes sonë nga Druari. E kisha vështirë të dilja në Vushtrri prej tyre, sepse më njihnin kudo që shkoja”.

Vështirë kam jetuar, vështirë jetoj përsëri!
“Por, çuditërisht, edhe sot askush nga familja ime nuk gjen punësim në organet shtetërore. Në shtëpinë time sikur po ndodh një izolim dhe diskriminim i dytë. Edhe sot punojmë punë fizike, kështu që të rinjtë e familjes sonë ikin jashtë…

Pra, vështirë kam jetuar dhe vështirë jetoj përsëri! Nuk i kam punët mirë aspak”, ankohet Hajzeri dhe nxjerrë nga xhepi paratë e imta për të paguar tre çaja, duke thënë se kemi para sa për çaj…

Pse u martua 3 herë?
Ai ndalet edhe te momentet e jetës së tij martesore. Tri herë i martuar në jetë, flet për të gjitha…

“Jam martuar me gruan e parë dhe me të i pata tre djem, të cilët më vdiqën, ku pas tyre vdiq edhe gruaja. Pata shumë dhimbje, sepse nuk arrita ta rris shtëpinë që më kishte mbetur e zbrazët…

Pastaj, e mora gruan e dytë dhe me të pata gjashtë djem e një vajzë. Por, fati nuk deshi të plakemi bashkë, sepse edhe ajo vdiq, aksidentalisht nga vetëtima. Me gruan e tretë i kam 12 fëmijë.

Dal çdo ditë në Vushtrri, sepse në fshat nuk kam me kë me ndenjtë. Këtu i fali edhe vaktet në xhami dhe krejt kjo po më bën të ndihem mirë, ani pse i kam mbushur 92 vjet.

Ndonëse shëndeti po më shkon ende mirë, kam këtu mjaft moshatarë me të cilët e kalojmë ditën bashkë”, thotë ai.

Megjithatë, xha Hajzeri më shumë flet për praninë e tij në Aradhen e Ballit Kombëtar si ushtar i devotshëm i Shaban Polluzhës, për të cilin thotë se i ka ndenjur afër deri në vdekjen e tij nga plumbi.

“Jam kyç në radhët e Ballit Kombëtar prej formimit të Brigadës së Shabanit. Aso kohe kemi jetuar në Polluzhë, te nipat, te Sylejman Kastrati, sepse shtëpitë na i patën djegur dhe s’kishim ku të rrinim.

Sylejmani dhe Shabani baballarët vëllezër i kanë pasur. Baba im, Hysen Bojku, ka qenë udhëheqës i Ballit për rrethinën e Çiçavicës.

Pas lufte, sa herë ka ardhur ndonjë udhëheqës i lartë nga Jugosllavia në Kosovë, më kanë mbajtur nga 15 ditë në burg. Deri me ramjen e Rankoviqit, në familjen tonë nuk kemi pasur të drejtë as vote, madje as femrat se lëre më meshkujt…

Në vitet 90 aq shumë ma shtruan zullumin sa gati më mbytën… Kam ikur dhe kam shkuar në Suedi. Atje qëndrova tre vjet dhe mendova se u qetësua situata sado pak, por kur erdha ishte njëjtë…

Tash, e që jetojmë në liri, për dikë nuk është keq, por për dikë ende po… Asnjë nga familjarët e mi nuk punon në punë shteti, ani pse jemi 86 anëtarë të familjes”, tha në fund të bisedës sonë Hajzer Bojku, babai i 23 fëmijëve, e që mund të merret si krenaria e Kosovës… Safet Krivaça /Kosovarja/


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]