Dafina Hajradini është një emër i njohur në botën e grimit profesional në Kosovë, e cila e nisi karrierën e saj që në moshën 15-vjeçare në qytetin e Mitrovicës. E frymëzuar nga nëna e saj, Zyla Ramadani, një emër i respektuar në këtë fushë, Dafina e gjeti vetveten në një ambient ku arti, ngjyrat dhe kujdesi për bukurinë u bënë pjesë e përditshmërisë së saj. Në të njëjtin vit, ajo ndoqi studimet profesionale në Elit Akademi, duke e shndërruar talentin natyral në një profesion të mirëfilltë.
Ajo që e veçon Dafinën është komunikimi i ngushtë dhe i sinqertë me klientelën. Ajo i kupton dëshirat, përshtatet me trendet dhe realizon make up profesional që reflekton personalitetin dhe stilin e çdo gruaje. Grimi, sipas saj, nuk duhet të jetë i tepruar, por një mënyrë për të nxjerrë në pah bukurinë natyrale.
Duke qenë vetëm 25 vjeç, Dafina numëron një sërë arritjesh të rëndësishme:
• Fituesja e vendit të parë në garat ndërkombëtare të zhvilluara në Shqipëri (2022) dhe Itali (2024)
• Anëtare e jurisë në garat evropiane të mbajtura në Turqi (2023)
Falë suksesit dhe besimit të klientelës, Dafina ka hapur tashmë dy studio grimi në Mitrovicë dhe planifikon së shpejti të zgjerohet edhe në Prishtinë. Përveç zhvillimit të biznesit, misioni i saj është të krijojë mundësi punësimi dhe zhvillimi për vajzat dhe gratë e talentuara, duke u bërë një urë e rëndësishme drejt realizimit të ëndrrave të tyre profesionale.
Trendet për verën 2025, sipas Dafina Hajradinit, janë grimet me “skin glow” dhe hijezime të lehta, por gjithmonë duke ruajtur natyrshmërinë. Megjithatë, grimet glamuroze për nuset mbesin pjesa më e dashur dhe e kërkuar, të cilat ajo i realizon me përkushtim dhe stil.
Me pasion, profesionalizëm dhe vizion të qartë për të ardhmen, Dafina Hajradini po vazhdon ta shkruajë historinë e saj të suksesit në botën e bukurisë, duke i dhënë çdo klienti një përvojë të veçantë dhe çdo gruaje një ndjenjë më të thellë vetëbesimi