fbpx

Deputetja Kearns: Britania nuk do të mbështesë krijimin e një enklave serbe në Kosovë

nga Revista Kosovarja

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, gjatë një debati në Parlament, lidhur me çështjen e Ballkanit Perëndimor, ka folur edhe për Kosovën.

Në një video që ka shpërndarë edhe në rrjetin social Twitter, ka thënë se ndjehet më e lehtësuar ndërsa Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ka konfirmuar se nuk e mbështetë krijimin e enklavës serbe në Kosovë përmes Asociacionit.

Ajo shtoi se për Britaninë është e rëndësishme të mos rrënjoset më tej etno-nacionalizmi në Ballkan.

“Shumë e lehtësuar kur dëgjova Qeverinë të konfirmojë se nuk do të mbështesë krijimin e një enklavë serbe në Kosovë. E rëndësishme është që ne të mos e rrënjosim më tej etno-nacionalizmin në Ballkan”, shkroi Keans.

Po ashtu Kearns ka pyetur gjatë seancës qeveritarët nëse e kanë kundërshtuar këtë ide të krijimit të një Republika Srpska të re dhe nëse do të bllokohet Republika Srpska që të manovrojë në bursën e Londrës, duke thënë se me këtë po i financon planet e ambiciet që ka për t’u shkëputur nga territori i Bosnjë-Hercegovinës.

Ndërkaq, më herët, gjatë të martës, ambasadori Nicholas Abbott, ka thënë se Kosova është vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike.

Tutje ka shtuar se nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklave monoetnike.

“Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi për serbët e Kosovës që të jenë pjesë integrale e Kosovës. Kosova është një vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike. Nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklavë monoetnike”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Çështja e Asociacionit, u diskutua edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Ambasadori Jeff Hovenier tha gjatë ditës se SHBA-ja e ka bërë të qartë tashmë se nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës ose që kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi Hovenier.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]