Nga: Mustafë Xhemaili
NJË HYRJE PËR POEZINË E LULZIM TAFËS
Poezia e poetit Lulzim Tafa, nuk ka dal krejt befasisht. Ajo e ka pasur një zhvillim të saj që nga botimi i librit të parë me poezi me titull “Gjaku nuk bëhet ujë”, të botuar nga Rilindja në vitin 1993 duke botuar edhe tri libra të tjerë me poezi deri në vitin 1998, (madje njëra prej tyre me poezi të dramatizuara). Poeti Lulzim Tafa, përnjëherë “heshti”, për 14 vjetë, për t’u rishfaqur në vitin 2012 me librin poetik “I kam dy fjalë”, pastaj edhe me librin “Shtini n’dhé këto fjalë” (2015) dhe me librin tjetër “Flirt” (2019). Këtu nuk do të shfletojmë këta libra që përmenda, por dua të theksoj vetëm një mendim të poetit dhe studjuesit të letërsisë, Agim Vinca, kur, duke i krahasur tre libra të poetit Tafa, në hyrjen me rastin e botimit të librit “Shtini n’dhé këto fjalë” thotë: “Nuk është vështirë të vërehet se ky libër, jo vetëm si frymëzim poetik dhe si koncept, por edhe me titullin është në koherencë me dy librat e tij të mëparshëm: Vdekja çon fjalë, (1998) dhe I kam edhe dy fjalë (2012). Në qoftë se titulli i librit, sipas Shopenhauerit, është (duhet të jetë) monogram i përmbajtjes së tij, atëhere mund të thuhet se në këta tre libra të Lulzim Tafës shpaloset që në titull raporti i subjektit lirik me fjalën.”
Poeti Lulzim Tafa, që mund të them se është një koprrac në botimin e librave poetik sepse vetëm pas 5 vitesh sërish i dha në dorë lexuesit një libër të ri me titull RIVALI I ADAMIT, të botuar në këtë vit. Në këtë botim Lulzim Tafa, del me ndryshe para lexuesit dhe kritikës, por ai nuk del nga idea e tij bazike për krijimin e poezisë në traditën dhe vazhdën e librave të tij të botuar deri tash. Them se me RIVALIN E ADAMIT, del më ndryshe sepse këtu del më guximshëm me hapur me poezi që në thelb kanë përmbysjen në mënyrë poetike të miteve dhe zanafillës. Në anën tjetër për t’u shprehur sa më komunikueshëm për lexuesin poeti Tafa, nuk shket asnjëhere nga idea e tij bazike që atij (lexuesit), t’ia përcjellë vazhdën dhe frymën e traditës së pasur që ka përçuar në botimet e mëparshme.