fbpx

Dikur familjen e bashkonte nëna, tash i bashkon qeni!

nga Revista Kosovarja

Dikur familjen e bashkonte nëna, që thuhej se është “pula e zogjve”, nën krahët e së cilës hyjnë të gjithë fëmijët. E tash, kush i bashkon familjen? – shkruan “Kosovarja”.

Kohën kur familjen e bashkonte nëna, e mbajmë mend si një relikt të vlerave. Pra, kohë kur është jetuar bukur dhe me nder.

Dhe, nuk është rastësi kur sot njerëzit thonë me mall “Pasha atë kohë!”. Sepse, ishte kohë e respektit dhe dashurisë ndërnjerëzore.

Miku im, që jeton në Gjermani, ankohej prej kohësh se rrallëherë tubohen me fëmijë, sepse secili e shikon punën e vet, jetën e vet…

Ai erdhi për pushim me bashkëshorten e tij, e gruaja ime e ftoi në darkë.

Por, kur e pyeta, si e kemi adet për fëmijë, ai nxori telefonin e madh nga portofoli dhe ia nisi me qenin.

“Qe, së pari, këtë qen e kam blerë tash, para gjashtë muajsh – 2500 euro. E donë fëmija shumë… I refuzova për këtë harxhim, por e kisha pasur shumë gabim.

Tutje, kjo është vajza e madhe. Është rritur, punon, bukën e fiton vetë. E ka rrogën e mirë, por nuk dimë kur do të martohet…

I thash po ta gjejmë një djalë në Kosovë dhe rehatohesh. Në anën tjetër, ia ngjesim dorën dikujt dhe e ndihmojmë të vjen në Gjermani, por refuzoi, sikur t’i thosha – kape gjarprin me dorë!

E, kjo është vajza e dytë. Po i shkon shkolla mirë… Edhe me djem i kam punët mirë, po punojnë… Bile, njëri ka dalë në banesë vetë, ani pse shtëpia jonë është e madhe dhe ka vend për të gjithë…

Madje, kur doli në banesë u gëzua, sepse gjermanët, me të cilët punon, gjithmonë i paskan thënë: “A ende jeton te baba, a?!”.

Në këtë foto përsëri është qeni. Gruaja duke i dhënë ushqim…

Kur s’e kishim qenin, fëmijët rrinin secili në dhomat e veta. Shtrirë në shtrat, sytë në telefon dhe me ditë nuk i shihja…

Dhe, e kemi gjet taktikën për t’i bashkuar fëmijët. Të gjithë rrinë aty ku është edhe qeni…

Sepse, kohët kanë ndryshuar, o mik! Dikur ne tuboheshim rreth nënës e babait. Por, ata tash nuk janë dhe ka humbur lezeti i shtëpisë…

E, në Gjermani, po u tregove fëmijëve këso sende, thonë: “Ihhh, burrë, mos trego pallavra, allahile!”.

Prandaj, në ballë të oxhakut e qesim qenin dhe të gjithë fëmijët i kam rreth tij…

Sepse, kaloi koha kur në krye të oxhakut rrinin burrat! E, kur ata flisnin, askush nuk nxirrte fjalë nga goja, përveç ndonjë kollitje që dëgjohej herë pas herë nga ndonjë plak, kryesisht. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]