fbpx

Dita e 23-të e grevës së punëtorëve të “Pastrimit”, vapa e rëndon gjendjen, ka edhe alivanosje

nga Revista Kosovarja

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” tash 23 ditë po bëjnë grevë para Komunës së Prishtinës.

Ata thanë për Ekonomia Online se nuk do të heqin dorë nga greva deri në plotësimin e kërkesave të tyre: pagesa e borxhit nga Komuna e Prishtina në vlerë 2 milionë e 697 mijë euro.

Pohuan se vapa ua ka rënduar gjendjen në grevë dhe se ka pasur edhe raste të alivanosjeve.

Kryetari i Sindikatës së kompanisë “Pastrimi”, Ardian Krasniqi, tha se nuk ka asnjë lëvizje drejt zgjidhjes së problemit.

“Deri sot vetëm kemi biseduar e biseduar, jemi kënaqur duke biseduar, por asnjë rezultat, asgjë konkrete. Nëse pesë muaj kemi operuar pa të hyra se kemi inkasuar vetëm 120 mijë euro për shkak të thirrjes së Komunës të mos paguhet te kompania ‘Pastrimi’, por në komunë. Pa pagesën e këtij broxhi 2 milionë e 697 mijë euro ne nuk lëvizim nga këtu. Është borxh se kemi shërbyer”, tha Krasniqi.

Ndërsa grevisti Fadil Bllaca, punëtor tash 26 vjet në kompaninë “Pastrimi” tha se kërkesat e tyre qind për qind sindikaliste.

“Qëllimi ynë është i pastër dhe i dinjitetshëm. Kërkesat tona janë plotësisht të klasës punëtore. Nuk kemi vija politike, nuk kemi prirje partiake. Nuk kemi asgjë, pos kërkesë qind për qind sindikaliste të klasës punëtore, të cilat na i ka marrë kjo komunë. Ne jemi të përkushtuar që kërkesat tona të realizohen deri në pikën e fundit këtu para Kuvendit Komunal të Prishtinës. Vapa këto ditë ka rënduar gjendjen. Ka pasur edhe alivanosje. Por, ne kur kemi hyrë në grevë, ishim të vetëdijshëm se mund të dalin vështirësi të paparapara”, tha Bllaca.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]