Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit, Klestori Veseli, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Albin Kurti.
Kurti në një emision televiziv tha se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) “ka disa kryetarë dhe disa prej tyre marrin instruksione nga Haga”.
Klestori tha se deklarata rëndon gjendjen emocionale të familjes së tij dhe të bashkëluftëtarëve të babait të tij, të cilët tash e disa vite po përballen me sfida të mëdha.
“Për familjen tonë dhe familjet e bashkëluftëtarëve të babait, që po ballafaqohemi me sfida jo të lehta tash e disa vite, deklaratat e tilla jo vetëm që na rëndojnë gjendjen neve, por nuk i bëjnë nder as vetë kryeministrit në detyrë”, shkroi ai në Instagram.
Ai shtoi se kryetari i PDK-së është Memli Krasniqi dhe se Kurti e çdo aktor tjetër politik nuk duhet të shmangin debatin politik konstruktiv.
“Kurti e kushdo tjetër në skenën politike, nuk kanë pse t’i frikësohen debateve konstruktive politike”, u shpreh ai.