Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Këto ngjarje bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Prishtinë, ku një 22-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i biri i cili ka qenë nën ndikimin e drogës e ka kërcënuar seriozisht, duke i kërkuar para.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka rrëfyer për momentet e rënda me djalin.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me t’u përfunduar procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ’Kanosje’.