fbpx

“Do ta vras veten, pastaj edhe juve” – Motrat denoncojnë vëllain për dhunë në familje në Prishtinë

nga Revista Kosovarja

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar të martën në lagjen Arbëria (Zekerie Cana), në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar presion dhe kërcënime të vazhdueshme psikike ndaj dy motrave të tij.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 08.07.2025, rreth orës 12:00, në Stacionin Policor janë paraqitur dy gra me inicialet S.A., rreth 29-vjeçare dhe F.A., rreth 28-vjeçare, të cilat e kanë denoncuar për dhunë vëllain e tyre, A.A., rreth 31-vjeçar.

Sipas deklarimeve të viktimave, dhuna psikike ka qenë e vazhdueshme për më shumë se një vit, kohë kur i dyshuari ka filluar të përdorë substanca narkotike dhe të frekuentojë lojërat e fatit, duke shfaqur sjellje agresive dhe kërcënuese, ku shpeshherë u ka thënë:

“Do ta vras veten, e pastaj edhe juve.”

I dyshuari është shoqëruar në polici dhe në prani të avokatit ka shfrytëzuar të drejtën për të heshtur.

Pas marrjes së deklaratave dhe vlerësimit të situatës, Prokurori kujdestar ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, si dhe ka autorizuar inicimin e procedurës penale për veprën: “Dhuna në familje”.

Hetimet janë në vijim, ndërsa viktimat janë nën mbrojtje institucionale.

Sinjali do të raportojë me detaje të reja sapo ato të konfirmohen.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]