Peci “konfirmon” largimin e Kica-Xhelilit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, me një reagim e ka thumbuar deputeten Doarsa Kica-Xhelilin, duke konfirmuar kështu edhe largimin e saj nga Lista Guxo.
Peci tha se kush synon tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohen “erës së përfunduar në politikë”.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar Peci, transmeton Klankosova.tv.
Ai këtë postim e ka shoqëruar me themeluesen e Listës Guxo, Vjosa Osmani dhe tash kryetaren në detyrë të kësaj partie, Donika Gërvalla.
Doarsa Kica-Xhelili zyrtarizohet në LDK javën e ardhshme
Deputetja e Listës Guxo në grupin parlamentar të Vetëvendosjes, Doarsa Kica-Xhelili, është pranë kalimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Klan Kosova mëson se zyrtarizimi i Kica-Xhelilit në partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku do të ndodhë javën e ardhshme.
Në vazhdimësi është raportuar se Doarsa Kica-Xhelili është larguar nga Lista Guxo, ndonëse ajo vetë nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Megjithatë ajo mungoi në formimin e degës së kësaj partie në Prishtinë.