fbpx

Dorëzohet Përparim Rama, komuna e Prishtinës dhe kompania “Pastrimi” arrijnë marrëveshje

nga Revista Kosovarja

Është arritur marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” për ndërprerjen e grevës së punëtorëve, të cilët kishin protestuar për disa ditë para objektit të komunës.

Nënkryetari i Komunës, Florian Dushi, deklaroi se komuna ka qenë gjithmonë në mbështetje të punëtorëve dhe ka propozuar subvencionimin e pagave të tyre. Ai theksoi se pajtimi është arritur me punëtorët, por jo me menaxhmentin e ndërmarrjes, të cilin e akuzoi për përhapje të dezinformatave.

“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë – ne i kemi mbështetur punëtorët dhe kemi insistuar që të gjendet një zgjidhje. Në disa seanca kemi propozuar subvencionimin e pagave që të mos cenohet paga e punëtorëve. Kemi pritur dhe takuar përfaqësuesit e tyre dhe i kemi marrë kërkesat e tyre seriozisht. Sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se jemi pajtuar edhe me menaxhmentin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’, i cili fatkeqësisht ka ndihmuar në përhapjen e dezinformatave. Është lënë kryeqyteti me mbeturina për shkak të kësaj situate,” tha Dushi, raporton EO.

Ai shtoi se është rënë dakord që çështja e pagesës për shërbimet nga janari deri në maj të adresohet në gjykatën kompetente. Po ashtu, është vendosur që mjetet e inkasuara nga komuna të transferohen në mënyrë urgjente te KRM “Pastrimi”, dhe lista e qytetarëve që kanë kryer pagesat të dorëzohet tek ndërmarrja, e cila do t’i pranojë ata si pagues të rregullt.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Sindikatës së “Pastrimit”, Shpend Qosa, deklaroi se kërkesat legjitime të punëtorëve janë pranuar dhe se mjetet e inkasuara pritet të transferohen nga nesër, gjë që do të mundësojë rifillimin e punës.

“Kërkesat tona, të cilat kanë qenë të drejta dhe legjitime, janë pranuar. Kemi marrë zotim nga nënkryetari që këto pika do të trajtohen dhe zgjidhen. Presim që mjetet e inkasuara të fillojnë të transferohen në llogarinë tonë nga nesër, dhe ne të rifillojmë menjëherë punën. U kërkojmë ndjesë qytetarëve që nuk kemi mundur ta kryejmë shërbimin dhe i ftojmë që pagesat për mbeturina t’i bëjnë te ndërmarrja ‘Pastrimi’. Në rast se këto zotime nuk realizohen, do të rikthehemi në protesta – dhe nuk e dimë si mund të përfundojnë ato,” theksoi Qosa.

Sindikalistët kanë paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk respektohet, ata do të ndërmarrin masa të reja protestuese.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]