Komuna e Dragashit është futur në karantinë, ani pse deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.
Deri te kjo situatë ka ardhur pasi mbrëmë Komuna e Prizrenit është futur në karantinë dhe Dragashi nuk ka ndonjë rrugë tjetër për t’u lidhur me komunat e tjera pa kaluar nëpër Prizren.
Klan Kosova ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Dragashit Shaban Shabanin i cili ka thënë se me futjen e Prizrenit në karantinë edhe qytetarëve të Dragashit iu pamundësohet hyrja dhe dalja në komunat e tjera.
“Po, për shkak se Prizreni është futur në karantinë dhe ne nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. Të dy rrugët që çojnë tek ne janë të mbyllura. Ne as nuk mund të shkojmë dhe as të vjen askush tek ne. Ne jemi këtu zonë kufitare – kufizohemi një pjesë me Shqipërinë dhe një pjesë me Maqedoninë”.Shabani ka bërë të ditur se aktualisht në Dragash nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Covid-19, ndërsa sot është përcjellë një rast i dyshuar dhe janë në pritje të rezultatit.“Ne kemi pasë qytetarë në karantinë, mirëpo pasi iu është bërë testi kanë rezultuar negativë dhe kanë ardhur në Dragash. Sot po presim rezultatet e testit për një qytetar të cilin e kemi dërguar për analiza”.