Mbi 400 artistë të njohur britanikë, përfshirë Dua Lipën, Elton Johnin, aktorin Ian McKellen dhe këngëtaren Florence Welch, i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, duke i bërë thirrje për përditësimin e ligjeve për të drejtat e autorit përballë rritjes së ndikimit të inteligjencës artificiale (IA), raportoi BBC.
Në këtë letër, artistët shprehin shqetësimin se mungesa e mbrojtjes ligjore për krijimet e tyre mund të çojë në situata ku “po ua japin” veprat e tyre kompanive të teknologjisë, duke rrezikuar pozitën e Britanisë si qendër e fuqishme krijuese.
Përmes Ligjit për të Dhënat (Përdorimi dhe Qasja), ata kërkojnë që kompanitë që zhvillojnë inteligjencën artificiale të jenë të detyruara të informojnë mbajtësit e të drejtave të autorit nëse materialet e tyre janë përdorur për trajnimin e modeleve gjeneruese të IA-së.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se po zhvillon konsultime për të gjetur një qasje që balancohet mes interesave të krijuesve dhe zhvilluesve të teknologjisë, duke siguruar se nuk do të ndërmarrë reforma që dëmtojnë industrinë kreative.
Megjithatë, ka edhe zëra kritikë. Julia Willemyns nga Qendra për Progresin Britanik ka theksuar se masa të tilla mund të ngadalësojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe nuk do të ndalojnë kompanitë e huaja të përdorin përmbajtje britanike.
Kjo lëvizje kolektive vjen në një kohë kur shqetësimet për shfrytëzimin pa leje të veprave artistike nga teknologjitë gjeneruese janë në rritje. Pavarësisht avantazheve që IA sjell për publikun e gjerë, ajo po sfidon kufijtë e ligjit dhe etikës për mbrojtjen e pronës intelektuale.