fbpx

Dy javë nga vërshimet në Pejë, Komuna “e heshtur” për menaxhimin e kësaj fatkeqësie

nga Revista Kosovarja

Më 24 qershor, qyteti i Pejës u vërshua nga reshjet e mëdha të shiut.

Si pasojë e vërshimeve, dy viktima, nënë e bir, humbën jetën.

Dy javë më vonë, qyteti akoma nuk është rikuperuar plotësisht nga këto reshje, të cilat në disa lagje ishin më të theksuara.

“Gjurmë” të vërshimeve janë akoma në lagjen “Asllan Qeshme”, e cila ishte edhe lagjja më e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Mbrëmjen e 24 qershorit, ditë e shtunë, reshjet e mëdha vërshuan shpejt qytetin, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale e duke pamundësuar qarkullimin e sigurtë.

Shumë qytetarë u angazhuan bashkë me shtabin emergjent të qytetit për të ndihmuar në evakuim të banorëve.

Në ndihmë doli edhe ekipi i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me operacion që zgjati edhe dy ditë pas vërshimeve.

Nga FSK u deklaruan për Indeksonline se Komunës së Pejës iu ofrua ndihma qysh në momentin e marrjes së informatave nga Qendra e Situatave të Republikës së Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës gjate operacionit në Komunën e Pejës ka angazhuar një skuadër të KSH (me dy pompa për tërheqjen e ujit), një ekip të Çështjeve Civile si dhe një ekip të mbështetjes reale nga KFT (mbështetje më cisterne për ujë të pijshëm)” thuhet në përgjigjën e FSK-së për Indeksonline.

Nga data 24 deri më 26 qershor, ekipet e angazhuara të FSK-së janë përfshirë në heqjen e ujit nga shtëpitë e banorëve. Ofrimin e shërbimeve me ujë të pijshëm, vlerësimin e situatës, koordinimin e veprimeve bashkë me Komunën si dhe dhënien e udhëzimeve që lidhën me fushën e operacionit të FSK-së në këtë fatkeqësi.

Megjithatë, sa kohë iu desh FSK-së për t’u nisur drejt Pejës?

Komuna e Pejës nuk ka dhënë përgjigje akoma në pyetjet e parashtruara dymbëdhjetë ditë më parë lidhur me këto vërshime, përfshirë dhe atë se kur i janë përgjigjur pozitivisht ofrimit të ndihmës nga ana e njësiteve të FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së pari kishte njoftuar mbi gatishmërinë për të reaguar ndaj kësaj situate, për të konfirmuar më vonë se njësitet e kërkim-shpëtimit janë nisur drejt Pejës.

“Pra, edhe njëherë ritheksojmë se FSK është reagues i tretë që intervenon me kërkesë të Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi komuna të deklarojë se nuk mund ta menaxhojë situatën me resurset lokale” thuhet në përgjigjën e FSK-së për Indeksonline.

Në anën tjetër, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thonë për Indeksonline se veçse është i formuar Komisioni Qendror për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, i cili ka volum të madh të lëndëve të komunave lidhur me dëmet nga vërshimet, të cilat ishin me sasi të madhe këtë vit.

MAPL deklaron se nga Komisioni në fjalë, në Pejë është dërguar përfaqësuesi për ndihme dhe përkrahje për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.

Megjithatë, duhet kohë që të vlerësohen dëmet nga këto vërshime dhe të përgatitën raportet zyrtare për qeveri për kompensim dhe miratim përfundimtar.

“Dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ende nuk janë kompensuar ato priten të kompensohen në bazë të mundësive buxhetore nga Qeveria” thonë nga MAPL pasi i pyetëm lidhur me kompensimet e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e janarit.

Ndërkaq, nga Komuna e Pejës tash e dymbëdhjetë ditë, akoma nuk kemi marrë përgjigje lidhur me vlerën e dëmeve të shkaktuara, numrin e raportimeve të bëra në shtabin emergjent gjatë natës së 24 qershorit, mos-shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, numrin e ekipeve të angazhuara në terren për t’u dalë në ndihmë qytetarëve e as përgjigje se kur është intervenuar për herë të fundit në infrastrukturën e ujërave të zeza.

Nga njoftimi zyrtar i Komunës bëhet e ditur se pranimi i kërkesave për vlerësim të dëmeve nga vërshimet do të zgjasë deri më 10 korrik.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]