Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar sot dy rastet e para të lisë së majmunëve në vend. Sipas njoftimit, pacientët janë testuar në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës, ku përveç lisë së majmunëve, janë realizuar edhe teste për HIV, sifiliz dhe herpes.
Analizat laboratorike janë kryer me tre metoda të ndryshme dhe kanë rezultuar pozitive për lisë e majmunëve. Menjëherë pas konfirmimit të rasteve, janë informuar të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Klinikën për Sëmundjet e Lëkurës dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
Epidemiologët e Institutit kanë filluar hetimet epidemiologjike për të mbledhur informacione të detajuara dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Pacientët janë udhëzuar të vazhdojnë ndjekjen dhe trajtimin në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka vend për panik, pasi të gjitha institucionet janë duke vepruar me efikasitet për të kontrolluar situatën.