fbpx

Dy të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak në SHBA

nga Revista Kosovarja

Dy pilotë që ishin duke zhvilluar një mision trajnues vdiqën të premten, pasi aeroplani luftarak në të cilin ndodheshin u rrëzua afër Aeroportit Rajonal Montgomery në Alabama të ShBA-së, konfirmuan forcat ajrore amerikane.

Aeroplani për dy persona i tipit T-38 u rrëzua rreth orës 5 e 30 minuta të pasdites afër Fushës Dannelly. Në atë zonë ndodhet edhe një bazë e forcave ajrore të Gardës Kombëtare të Alabamas, shkruan Fox Neës.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e dy pilotëve të përfshirë në këtë incident”, tha koloneli Seth Graham përmes një deklarate. “S’ka fjalë që mund ta përshkruajë pikëllimin që e shoqëron humbjen e anëtarëve të ekipit tonë”, shtoi ai.

Aeroplanët T-38 përdoren nga forcat ajrore dhe detare për qëllime trajnimi. Zakonisht, në këta aeroplanë ndodhen një student që është duke studiuar për t’u bërë pilot dhe një instruktor.

Drejtori ekzekutiv i aeroportit afër të cilit ra aeroplani, Marshall Taggart Jr., tha se aksidenti ka ndodhur afër një zone banimi, por nuk ka goditur ndonjë ndërtesë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]